English

Gjimnazistët pjekin mendimet për gjyqësorin pas 15 ligjëratash

Përfundon me Sukses Programi i Komunikimit dhe Ndërgjegjësimit i TPNJ-së për Shkollat e Mesme në Kosovë

Prishtinë, 18 Dhjetor 2010 NOA - cikli i tretë i ligjëratave të Programit të Tribunalit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim për shkollat e mesme në Kosovë, i çmuar së tepërmi prej shkollave pjesëmarrëse.

Punonjësit e Programit të Tribunalit në Prishtinë mbajtën ligjërata në 15 shkolla të mesme anembanë Kosovës nga tetori deri në dhjetor 2010.

Më shumë se 700 nxënës të vitit të katërt morën pjesë në ligjëratat e shoqëruara me ilustrime mediale që shërbyen për njohjen më të mirë të Tribunalit dhe punës së tij nga rinia e rajonit.

Ligjëratat u mirëpritën si nga nxënësit po ashtu edhe nga mësuesit dhe u karakterizuan nga diskutime mjaft të gjalla dhe informuese.

“Nxënësit i presin ligjëratat me kënaqësi dhe mendojnë se pa këto ligjërata, nuk do të kishin mësuar këtë informacion” u shpreh Fatmire Fusha, zëvendësdrejtoreshë e gjimnazit Aleksandër Xhuvani në Podujevë.

“Që prej ligjëratës së Tribunalit, nxënësit shprehen ndryshe dhe janë më të pjekur në mendime në lidhje me informacion që marrin prej medias.”

Projekti u hartua me synimin për t’i njohur studentët me arritjet e Tribunalit gjatë 17 vjetëve të funksionimit të tij. Nxënësit mësuan për çështjet gjyqësore të përfunduara në Tribunal, kontributin e tyre në zbulimin e të vërtetës si dhe ndikimin e gjerë të Tribunalit në zhvillimin e shtetit ligjor në rajon.

“Gjykoj se ky diskutim do të mbetet në kujtesën e nxënësve të cilët e përjetuan atë kohë pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për tmerrin që ata së bashku me familjet e tyre përjetuan” tha Sabit Kadriu, mësues në gjimnazin Eqrem Çabej në Vushtrri.

Cikli i parë dhe i dytë i ligjëratave në Kosovë u organizuan gjatë viteve shkollore 2006 – 2007 dhe 2008-2009 ku mbi 1200 nxënës të 35 shkollave të mesme mësuan për punën e Tribunalit.

Ky projekt u organizua nga Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i TPNJ-së në bashkëpunim me Qendrën e Të Drejtës Humanitare në Kosovë, i financuar prej Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

a.b/NOA

KOMENTE