Bruksel, 18 dhjetor, DW – Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së në samitin e BE-së që po zhvillon punimet në Bruksel kanë rënë dakord për krijimin e mekanizimit permanent për krizat në Eurozonë.
"Ne kemi marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e euros. Nga njëra anë kemi rënë dakord për një mekanizëm permanent krizash. Kjo është e rëndësishme, sepse me këtë ne marrim përsipër detyrimin të sigurojmë stabilitetin e euros në tërësi. Dhe ky është një detyrim i të gjitha shteteve të eurozonës. Për këtë ishte e nevojshme një ndryshim i vogël i marrëveshjes të BE-së. Edhe për këtë ramë dakord."
Kështu është shprehur kancelarja gjermane, Angela Merkel, në samitin dy ditor të BE-së që po zhvillon punimet në Bruksel. Pra samiti nga njëra anë vendosi për një mekanizëm permanent krizash nga viti 2013, ashtu siç e kishte kërkuar Berlini, nga ana tjetër ndryshoi marrëveshjen e Lisbonës, në mënyrë që mekanizmi i krizave të jetë i pakontestueshëm nga ana ligjore.
Përveç kësaj në të ardhmen do të ketë një afrim më të madh të politikave ekonomike të 27 vendeve të Bashkimit Evropian. "Kjo është një ditë e mirë për Evropën!" tha kancelarja Merkel në përfundim të ditës së parë të samitit.
Ekziston vullneti politik për të bërë atë që është e nevojshme, vlerëson samitin edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy. Van Rompuy: " Shtetet anëtare që kanë si monedhë euron, mund të krijojnë një mekanizëm stabël, i gatshëm për t'u aktivizuar, për të ruajtur stabilitetin e zonës së eurospo qe se është e pashmangshme, pra dhënien e çdo lloj ndihme financiare dhe në kushte strikte."
Pra uniteti evropian për të mbrojtur monedhën e përbashkët vërtet përcakton tonin e samitit, megjithatë solidariteti evropian do të ketë kufij. Ky mekanizëm do të futet në veprim vetëm në rast se e gjithë zona e Euros rrezikohet.
Ministri austriak i Financave, Josef Pröll e cilëson sukses ngritjen e mekanizimit permanent për krizat. "Ajo që është arritur këtu është vërtet një gjë e madhe. Ne i treguam botës që Evropa di të bashkohet dhe të vërë në rrugën e duhur gjërat e duhura." Pröll pret që me këtë hap tregjet financiare të qetësohen.
Por nëse këto masa janë të mjaftueshme, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso vlerëson kështu: "Mendoj se përgjigja e rëndësishme që shefat e shteteve dhe qeverive kanë dhënë është: Ata do të bëjnë gjithçka, gjithçka që të sigurojnë stabilitetin e Euros".
Në samit nuk u ra dakord për zgjerimin e ombrellës së shpëtimit, aktualisht e pajisur me një shumë gjigande prej 750 miliardë eurosh. Ky dakordim pritet ditën e premten.
DW