Tiranë, 18 dhjetor, NOA – Ndërkohë që pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ajo pritet të hyjë në bisedimet teknike me Serbinë, kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto gjatë një takimi me Konstantin Kosaçjov, Kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dumës Shtetërore Ruse, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Shqipëri, theksoi se shqiptarët do të bashkohen mes tyre, kur shtetet ku ata jetojnë, të jenë vende anëtare të Bashkimit Europian. Duke folur për çështjen e Kosovës, ministri Haxhinasto vërejti se shteti i ri i Kosovës është faktor stabiliteti dhe sigurie për rajonin e ballkanit, por edhe më gjerë.
Gjatë bisedës me kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve me jashtë në Dumën Ruse, Kosaçjov, zoti Haxhinasto theksoi se është mjaft i rëndësishëm thellimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit ekonomik me interes të ndërsjelltë mes Shqipërisë dhe Rusisë.
Ministri Haxhinasto nënvizoi sakaq nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e veçanërisht në energjetikë, turizëm e shkëmbimin tregtar, fusha me interes të ndërsjelltë mes dy vendeve, për të cilat Kosaçjov konfirmoi vullnetin e palës ruse për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit folën për rëndësinë e mbajtjes së Sesionit të VII të Protokollit të Bashkëpunimit Ndërqeveritar shqiptaro-rus, i cili do të identifikojë fushat e bashkëpunimit ekonomik me interes të përbashkët.
Në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh, Ministri Haxhinasto përshëndeti përfundimet e Samitit të Lisbonës për një partneritet në rritje mes NATO-s dhe Rusisë për çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Po kështu Haxhinasto theksoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon si promotore e paqes, bashkëpunimit dhe e integrimit të tij.
mit/NOA