Tiranë, 18 dhjetor, NOA – Ndërsa dje të gjithë kaluam një ditë të veçantë përmes flokëve të dëborës që zbukuruan dekoret e qyteteve të Shqipërisë, madje edhe atyre bregdetarë, sot paraqitet një pamje krejt e ndryshme.
Dhe kjo, pasi reshjet e dëborës sot ua kanë lënë vendin atyre të shiut, duke bërë që jo vetëm të shkrijnë shtresat e krijuara nga dje, por edhe të ketë një rritje të ndjeshme temperaturash në të gjithë vendin.
Megjithatë, autoritetet përkatëse bëjnë me dije për agjencinë e Lajmeve NOA se mbeten problematike komunat e thella dhe lëvizja e mjeteve në akset që lidhin qytetet me këto komuna, prandaj policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të përdorin zinxhirë në këto akse.
Gjithsesi, pamja e përgjithshme është që në akset nacionale është shkrirë akulli duke bërë që qarkullimi të jetë i lirë.
n.e/NOA