English

Kapet në Tropojë vrasësi i Mirash Prekës, i ekzekutuar për hakmarrje

Tiranë, 18 dhjetor, NOA – Pas gati një muaji nga ekzekutimi i 44 vjeçarit Mirash Preka nga qyteti i Pukës për hakmarrje, policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e vrasjes Alfred Gjergji. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini tha se dje uniformat blu bënë të mundur të dokumentojnë, identifikojnë dhe të zbardhin tërësisht rrethanat e vrasjes së ndodhur më datë 21 Nëntor 2010, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ku gjeti vdekjen e menjëherëshme nga të shtënat me armë zjarri shtetasi Mirash Pal Preka 44 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në fshatin Paskuqan të Tiranës.

Sipas Katragjinit uniformat blu të seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit, arritën falë një operacioni intensiv të identifikonin autorin e dyshuar të kësaj vrasjeje duke e arrestuar atë.

Arrestimi i Alfred Gjergjit u bë në fshatin Tresaj të Tropojës.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, dhe vazhdon puna intesive për kapjen e shtetasit Arben Gjergji, tashmë i identifikuar.

Policia dyshon se 44 vjeçari Mirash Preka u ekzekutua për hakmarrje nga Alfred Nikollë Gjergji në 21 nëntor në Tiranë, pasi rreth gjashtë muaj më parë në Greqi, viktima Mirash Preka i kishte vrarë me thikë të vëllain, Alfred Gjergjit.

Në operacionin e kapjes së Alfred Gjergjit në Tresaj të Tropojës morën pjesë edhe forcat e Komisariatit të Policisë Nr.3 në Tiranë si dhe oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, të cilët bënë sigurimin dhe kqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe administruan provat.

Alfred Nikollë Gjergji do të procedohet tashmë nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje.

mit/NOA
KOMENTE