English

Ndërhyrja në Lanë, Rama: 510 pemë për kthimin e këtij segmenti në park linear

Tiranë, 18 dhjetor, NOA – Në vazhdim të projektit të Bashkisë së Tiranës, për sistemimin e shtratit të Lanës, pranë urës së Shkollës Teknologjike deri në Unazë), një segment mjaft problematik për qytetarët, Bashkia e Tiranës do të mbjellë në këtë zonë 510 pemë të llojit rrap përgjatë skarpateve të lumit të Lanës, pemë të cilat pritet të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së mjedisit, duke e kthyer atë pse jo edhe në një hapësirë të re publike për qytetarët. Duke iu referuar punës për gjelbërimin e zonës dhe shndërrimin e segmentit në fjalë në një park linear, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, tha në një prononcim për mediat se “Me shtratin e Lanës që sot nuk është më pengesa e dikurshme e ujit, që shkaktonte përmbytje në qytet, por është një garanci kundër përmbytjeve, ne kemi hyrë në një fazë tjetër, duke nisur me mbjelljen e disa qindra e qindra pemëve, që janë edhe pjesa e parë e punës që do të bëhet për ta shndërruar gjithë këtë zonë dhe segment të ri rë ripërtërirë të Lanës, në një park linear i cili do të jetë në shërbim të gjithë komunitetit rreth e rrotull, por njëkohësisht do i japë një përmasë krejt të re dhe të papritur Lanës, në shtrirjen e vet, në krahun perëndimor”, tha Rama.

Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh mjaft i kënaqur për punën intensive gjatë zbatimit të projektit, duke cilësuar se, jo vetëm në këtë zonë, po edhe në të gjithë Tiranën bashkia po bën hapa për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Sipas bashkisë së Tiranës, rëndësia e trajtimit të këtij segmenti qëndron në faktin se ky objekt është një element dekorativ me rëndësi për kryeqytetin dhe njëkohësisht një faktor ambiental që përmirëson ndjeshëm mikroklimën e tij, por edhe një korridor i fuqishëm ajrimi.

Qëllimi kryesor është ruajtja e zonës ku rrjedh lumi, si një zonë e gjelbër, andaj edhe mbjellja përgjatë shtratit të lumit tashmë të sistemuar, të 510 pemëve rrepë, do të ndikojnë fuqishëm në aspektin ekologjik që karakterizon ekuilibrat urbanë.

Plani i ri Rregullues e ka konceptuar këtë segment të lumit të Lanës ndryshe nga pjesa tjetër që i paraprin, pasi kjo pjesë e lumit do të ngjasojë me një park linear natyror, pa praninë e rrugëve për automjete në dy brigjet e tij, sikurse ndodh në segmentin tashmë të ndërtuar të Lanës.

mit/NOA

KOMENTE