Tiranë, 18 dhjetor, NOA - Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor reshjet e dëborës të rëna dje në gjithë vendin, madje edhe në Tiranë e Durrës.
Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i raportit të komisionerit Dick Marty në Këshillin e Evropës mbi trafikun e organeve, shoqëruar me reagimet përkatëse të Ramës, Berishës dhe Topit.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Një histori dramatike trafikimi ”, i cili citon trafikimin e një vajze në Londër, 20 klientët brenda një nate dhe 500 paundët për trafikantët.
“Informacione të SHISH në raportin e Thaçit”, është një artikull që citon qëndrimin e palës shqiptare për raportin e Dik Martit, reagimet e Berishës, Ramës dhe Topit.
“Festa e parë striptiste në Tiranë/ Rrëfimi i striptistit të parë shqiptar” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Ndërkaq, në rubrikën ‘opinion’ në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Nga Albin Kurti: Kur ndërkombëtarët gjykojnë për zgjedhjet shqiptare”.
E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Fondet për policinë/ Kamera sigurie në rrugët e Tiranës”, i cili flet për vendimin e qeverisë mbi vendosjen e mjeteve të sigurisë në kryeqytet për qarkullimin.
“Sinan Hoxha: Historinë e akuzave të Domenikës për lidhjen me Seldin, e krijuam për famë”, është një tjetër artikull i gazetës.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Adi Krasta ikën nga E diell, sfidë Agron Llakajt te 100 milionët”; “Fullani: Bankat të ulin interesat e kredive”; “Fratini pret Bashën: Statusin e merrni në 2011-ën” etj.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Shpërthen Karla, rebelon shqiptarët”, e cila citon deklaratat e ish-kreut të Gjykatës së Hagës: Shqipëria pengoi hetimet, kishim të dhëna për varr masiv.
“Qeveria reagon për gjuhën shqipe: Intelektualët na zhgënjyen, të rishitet”, referuar konferencës 3-ditore për gjuhën shqipe në Durrës.
“Astrit Patozi fund beqarisë, martohet me Amantjan”, i cili flet për lidhjen 2-vjeçare dhe bashkëjetesën e deputetit demokrat.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Rama në Vlorë: Berisha do largohet me protesta”, “Dyshimi i policisë: I forti i Burrelit, rekrutues vrasësish” dhe “Kontrata me Ujësjellësin rritet nga 3 deri në 9 mijë lekë”.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “OSBE: S’na bind antikorrupsioni”, i cili tregon deklaratat e bëra nga përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë gjatë një konference.
“E pangjarë, bora edhe në Durrës, pas 25 vitesh”, është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili flet për reshjet e borës dje në vendin tonë.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Burrelasi i vrarë, truprojë e ish-presidentit Meidani”, “Apeli kthen në Fakt lirinë e Pinarit dhe Delijorgjit” etj.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Presidenti i PPE: PS prano zgjedhjet, ishin të ndershme”, i cili pasqyron deklaratat e djeshme të Martens në Bruksel.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Dëbora zbardh tërë Shqipërinë, ekspertët shpjegojnë shkaqet”.
Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Meta-Tadiç: Të bashkëpunojmë për integrimin evropian”.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Shtunë, 18 Dhjetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
n.e/NOA