English

Buxhuku: CEZ Shpërndarje, 23 milionë euro dëm biznesit, vetëm në 10 muaj

Tiranë, 19 dhjetor, NOA – Vetëm gjatë 10 muajve të vitit 2010 industria në vend është dëmtuar me rreth 23 milionë euro nga CEZ Shpërndarje si pasojë e mungesës së cilësisë dhe problemeve në shpërndarjen e energjisë.

Shifra është bërë publike sot nga Administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku. Në një deklaratë për mediat, Buxhuku shprehet se dëmi përfshinë vetëm tetë sektorë. Nëse do të ishin përfshirë gjithë sektorët e ekonomisë, atëherë dëmi do të ishte shumë më i madh.

“Nga studimi del se vetëm ne 10 mujorin e pare te vitit 2010 për sektorin industrial dëmi i përllogaritur në: 1-lëndë të para, 2-procese teknologjike, 3-makineri dhe pajisje të dëmtuara dhe/ose të blera si dhe 4-koha e shpenzuar tejkalon shifrën prej 23 milion euro”, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.

Studimi i Konfindustrisë shtrihet në periudhën e 10 mujorit të vitit 2010 në 8 sektorë të ndryshëm industriale.

“Vihet në dukje, se prej një periudhe 3 vjeçare është zgjidhur në përgjithësi dhe nuk ka ankesa nga industritë për sasinë e furnizimit me energji elektrike pavarësisht, se ende vazhdojnë ndërprerjet kryesisht në zonat periferike. Ndërkohë ka shqetësime të shumta për cilësinë e furnizimit ku përmendet: 1- niveli i tensionit, 2- luhatjet e tensionit,

3- ndërprerjet e shpeshta dhe të papritura”, deklaron Konfindustria.

Konfindustria ngre dhe shqetësimin që ka të bëjë me kontratën që ka CEZ dhe me paditë që bizneset nuk mund t’i fitojnë për shkak të kuadrit ligjor.

“Shkak për dukurinë e mësipërme sipas bizneseve janë termat ligjore të kontratës së furnizimit të energjisë elektrike, që gjykohet, se janë krejtësisht të njëanshme në favor të kompanisë furnizuese, që shkakton tërheqje të bizneseve të kërkojnë të drejtat e tyre në gjykatë. Konfindustria ka ndërmarre nismën për përmirësimin e domosdoshëm dhe sa më të shpejtë të Kontratës së Furnizimit me Energji Elektrike për Bizneset sipas standardeve të vendeve të BE në mbrojtje të interesit publik”, thuhet në deklaratë.

a.k/NOA

KOMENTE