Prishtinë, 19 dhjetor, NOA- Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë Valdete Daka, e ka cilësuar procesin zgjedhor si të organizuar shumë mirë.
Sipas saj, mungesa e materialeve teknike nuk ka ndikuar në cilësinë e zgjedhjeve, në ditën e zgjedhjeve, “sepse llambat, edhe pse ndoshta kanë qenë të kualitetit më të dobët, megjithatë kanë punuar dhe ne me përgjegjësi të plotë themi se llambat, të cilat janë dorëzuar dhe bateritë pastaj, që ne i kemi dërguar që të zëvendësohen, kanë punuar”, duke shtuar “se ajo çka ka ndodhur në terren nuk është përgjegjësi e KQZ-së, sepse komisonerët dhe vëzhguesit, të cilët janë nëpër Komisione Komunale Zgjedhore edhe nëpër Këshilla të vendvotimeve, janë bartës të procesit ditën e zgjedhjeve dhe janë pjesë e partive dhe subjekteve politike”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e KQZ-së, ka deklaruar se procesi i votimit ishte pothuajse në mënyrë të përkryer nga ana e KQZ-së, mirëpo në momentin kur procesi zgjedhor ditën e zgjedhjeve ka kaluar në përgjegjësi të komisionarëve dhe të subjekteve politike, procesi është devijuar.
Lidhur me masat që do të merren për parregullsitë, në mënyrë që të mos përsëriten në zgjedhjet e 9 janarit, ajo është shprehur se KQZ do të marrë përgjegjësinë që të ndërrohen të gjithë komisionarët në këto tri komuna dhe se do të shtohet mbikëqyrja, ashtu siç ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Daka nuk ka preferuar të komentojë akuzat e disa partive politike, të cilat e kanë konsideruar KQZ-në si të politizuar.
a.y/NOA