English

Luanin me çiften e babait, motra e madhe qëllon për vdekje motrën e vogël

Kurbin, 19 dhjetor, NOA – Të luash me armë zjarri është gjithnjë një lojë me zarar, dhe mund të kthehet në tragjedi. Këtë herë loja e dy motrave me çifte i ka kushtuar shumë një familjeje në rrethin e Kurbinit në veri të vendit, ku vogëlushja 5-vjeçare ka humbur jetën e vrarë pa dashje nga e motra 7 vjeçare.

Ngjarja e rëndë ndodhi këtë pasdreke në një familje në Kurbin, ku një vajzë pesë vjeçare i godit aksidentalisht nga e motra e saj, duke parë për të fundit herë edhe dritën e diellit.

Sipas korrespondentit të agjencisë NOA, të alarmuar nga zhurma e çiftes së gjahut, të cilën babai i vajzave e përdorte kur dilte për gjah, prindërit kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur shpejt në vendngjarje, duke gjetur pa jetë përdhe vogëlushen 5-vjeçare.

Prindërit të cilët ndodheshin në shtëpi nuk e kishin hasur armën në duart e vajzave të mitura, dhe kanë mbeturt të befasuar nga të shtënat e armës që vinin nga brenda shtëpisë.

Edhe pse uniformat blu të Kurbinit po hetojnë mbi ngjarjen e rëndë, ajo që mbetet theksi i kësaj tragjedie është se një armë në shtëpi është gjithnjë një mjet që ngjall kërshërinë e fëmijëve, dhe nga një mjet “loje”, sikundër e sheh një fëmijë që s’kupton, ajo mund të bëhet shkak edhe për një tragjedi.

Dhe ngjarje të tilla në Shqipëri janë të shpeshta, pasi pas dyndjes në depot e armëve në vitin e mbrapshtë 1997 shqiptarët ende nuk i kanë dorëzuar.

mit/NOA
KOMENTE