Tiranë, 19 dhjetor, NOA – Partia Demokratike e ka cilësuar si absurd qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për vendimin e Prokurorisë së Shkodrës për hetimin e zgjedhjeve në këtë qark.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj deklaroi se kreu i PS-së, me ketë qëndrim po del kundër vullnetit të shqiptarëve.
“Këto ditë prokuroria botoi pas shumë muajsh aktin e hetimit dhe rinumërimit e rivlerësimit të qendrave të votimit në Shkodër duke faktuar se rezultati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këto qendra dhe ai që u gjet pas këtij hetimi të prokurorisë ishin identik dhe të njëjtë”, thuhet në deklaratën e PD-së.
PD-ja e cilëson të papranueshëm faktin që një kryetar partie ka dyshime mbi vendimin e Prokurorisë.
“Pavarësisht nga kjo Edvin Kristaq Rama hesht e madje në amoralitet të plotë u thotë shqiptarëve që ka dyshimet e tij se prokuroria mund të ketë manipuluar. Me këtë qëndrim dëshmoi se urren qytetarët shqiptarë dhe votën e tyre të lirë, njësoj si etërit e tij shpirtëror”, thuhet në deklaratë.
Duke akuzuar kreun e PS-së për mos njohje të ligjeve të vendit, PD-ja thekson se do të jetë garante e votës së lirë.
“Partia Demokratike duke denoncuar edhe njëherë qëndrimin e bosit të SH.P.K e zotit 20%, garanton të gjithë shqiptarët se as ai e askush tjetër nuk do të mund të cenojë apo të shkelmojë mbi votën e vullnetin e tyre të lirë”, tha sot zëdhënësja e PD-së.
PD-ja e cilëson qëndimin e PS-së si një mënyrë për të dalë kundër vullnetit të popullit.
“Me këtë qëndrim e pafytyrësi politike ai dëshmon se s’do të pranojë kurrë votën e lirë të shqiptarëve dhe vullnetin e tyre. Ky pasardhës i klikës hoxhiste që vendosi në krye të Partisë Socialiste një tjetër klikë atë të neobllokmenëve, përpiqet me të gjitha mjetet e mënyrat që të shkelmojë mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe të vendosë nën kontroll votën e tyre të lirë”, thuhet në deklaratën e PD-së.
a.k/NOA