English

Përmirësohet situata në Shkodër, banorët përballen me lagështinë dhe ngricat

Shkodër, 19 dhjetor, NOA- Ndërkohë që sipërfaqja e tokës e pushtuar nga uji në qarkun e Shkodrës nga mbi 14 mijë ha është reduktuar në 8 mijë ha tokë e përmbytur, mund të flitet vërtet për përmirësim të situatës së emergjencës, por a është e tillë gjendja e banorëve në një qytet ku rishtas mijëra ha tokë janë nën ujë? Ndërsa në mëngjeset e para të dhjetorit shkodranët dhe i tërë shteti shpresonin në pushimin e reshjeve, me qëllim që uji të tërhiqej nga tokat e përmbytura, sot ngricat kanë vënë nën darë të tëra ata që shtëpitë u janë përmbytur dhe tashmë bashkë me të ftohtin e ngricat e dimrit duhet të luftojnë edhe me dhimbjet që krijon lagështira e fituar nga muret e shtëpive.

Tashmë kanë kaluar 18 ditë nga përmbytja e pestë e Shkodrës brenda këtij viti, që sikundër thonë edhe ekspertët solli reshjet më të pashembullta e për pasojë dhe fryrjen e panatyrshme të lumenjve Buna e Drin, por edhe vetë liqenit të Shkodrës, që me arritjen e kuaotës prej 10.55 m, doli nga shtrati i vet e mori e përmbyti gjithçka që i doli përpara, duke lënë në hall mijëra banorë të komunave të Nënshkodrës, por edhe të disa lagjeve shkodrane në hyrje të qytetit.

Tashmë nën ujë numërohen 8 mijë ha tokë, lagjet e qytetit të Shkodrës u çliruan nga uji, porse shtabi i emergjencës ende vijon apelin që banorët e evakuuar të mos rikthehen në shtëpitë e tyre, pasi dimri është i gjatë, dhe situata nuk premton shumë...

Ende nën ujë mbetet lagjia e Livadheve në Shkodër, një nga më të përmbyturat gjatë katastrofës ujore që përmbyti rrugët e qytetit verior.

Operacionet humanitare ende vijojnë të shpërndahen, ndërkohë që pas tërheqjes së ujit një fakt shqetësues mbetet edhe rrënimi i shtëpive që kanë ndenjur përgjatë mëse dy javësh të tëra nën ujë.

Edhe pse banorëve u është premtuar dëmshpërblim nga qeveria, nën motin me diell të Shkodrës, ku të gjithë urojmë natyrën të mos sjellë më reshje, tashmë banorët përballen edhe me akthin e dimrit të ftohtë, lagështirës së shtëpive dhe sëmundjeve e viruseve aq të zakonshme në këtë stinë, që në rastin tonë konkret i shtohet dhimbshëm edhe gjendja e tyre nën katastrofën e pashembullt ujore që i pushtoi.

mit/NOA
KOMENTE