Tiranë, 19 dhjetor, NOA – Partia Socialiste ka reaguar sot për futjen e ilaçeve në skemën e TVSH-së. Në një deklaratë për mediat deputetja e PS, Olta Xhaçka tha se kjo rritje e ilaçeve do të dëmtojmë më shumë shtresat në nevojë, të cilat edhe në skemën e mëparshme kanë paguar rreth 60 për qind më shumë se në vendet e Bashkimit Europian.
“Është e turpshme që qeveria të deklarojë se e paska ditur prej katër vjetësh se grosistët e ilaçeve abuzojnë me çmimet e ilaçeve në kurriz të qytetarëve, por nuk ka marrë asnjë masë. Ky pohim e bën Sali Berishën bashkëfajtor në abuzimin me qytetarët, e sidomos me shtresat më në nevojë në Shqipëri, të cilat i kanë paguar ilaçet 25 deri 60 për qind më shtrenjtë se në vendet e BE”, tha Xhaçka.
Sipas saj vendimi i qeverisë për të futur ilaçet në skemën e TVSH dhe arsyet e dhëna për këtë vendim janë tregues “jo vetëm të gropës së madhe në buxhet që ka shkaktuar Sali Berisha, por edhe të mungesës së moralit dhe korrupsionit që ka mbërthyer sot oborrin e Sali Berishës”.
Xhaçka tha se futja e ilaçeve në skemën e TVSH do të rëndojë edhe më tej shtresat në nevojë të shoqërisë shqiptare, siç janë pensionistët, të papunët dhe dhjetëra mijëra familje shqiptare.
“Ky është një dështim i Sali Berishës pasojat e të cilit nuk do t’i vuajë Sali Berisha dhe oborri i tij, por vetëm qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Një pensionist do t’i paguajë tani më shtrenjtë ilaçet sepse Sali Berisha ka vendosur t’ i taksojë ato si të ishin mallra të zakonshme konsumi”, tha Xhaçka.
Ajo u shpreh se të sëmurët, përveç kostos së korrupsionit në shëndetësi, do të duhet të paguajë dhe haraçin për ilaçet.
Deputetja e PS-së u shpreh se qeveria aktuale ka dështuar në shmangien e korrupsionit në Shëndetësi dhe ja ka dhënë këtë ministri LSI-së si plaçkë lufte.
“Sali Berisha ka dështuar të ndalojë një abuzim e korrupsion galopant në sistemin e shëndetësisë edhe pse ai ka qenë në dijeni të kësaj situate që në vitin 2007. Jo vetëm kaq, por që pas vjedhjes së zgjedhjeve në qershor 2009 Sali Berisha në mënyrë aktive e ka përkeqësuar situatën në shëndetësi duke ia dhuruar atë si plaçkë lufte LSI dhe ministrit Vasili, korrupsionin dhe aferat e të cilit me kompaninë MEGAPHARMA Partia Socialiste i ka denoncuar dhe do të vazhdojë t’i denoncojë”, tha sot Xhaçka.
a.k/NOA