Katania (Itali) 19 dhjetor, NOA – Nëna që shpëtoi tre fëmijët e saj nga djegia, një muaj e gjysmë më parë, ka vdekur sot në Itali. 37-vjeçarja, Blerina Meço ka ndërruar jetë në spital, pas plagëve të rënda që ka marrë nga flakët.
Meço ishte shtuar në spitalin e Katanias në 9 nëntor, pas aksidentit që i ndodhi në banesën e saj. Gruaja shqiptare sfidoi flakët që kishin përfshirë shtëpinë për të shpëtuar fëmijët e saj, një vajzë 12 vjeç, djalin 5 vjeç dhe vajzën tjetër të porsalindur prej 20 ditësh.
Nëna 37-vjeçare kishte nxjerrë fillimisht jashtë dy fëmijët më të mëdhenj dhe më pas është futur mes flakëve për të shpëtuar foshnjën e saj.
Pasi ka hyrë në pallat ka marrë foshnjën, por mbeti e bllokuar nga flakët. Atëherë ajo ka dalë në ballkon dhe e ka hedhur foshnjën nga kati i parë në krahët e një fqinje që e priste poshtë.
Foshnja arriti të shpëtojë pa asnjë dëm serioz. Ndërsa 37-vjeçarja mori plagë nga zjarri dhe u shtura në spital.
Mediat italiane e cilësojnë aktin e Blerina Meços si diçka të pashembullt dhe një model humanizmi.
Në media italiane, shkrimet për Meçon e pasqyronin atë si “nëna kurajë”.
a.k/NOA