English

Skandali, lojtarët shqiptarët dyshohen për shitje të ndeshjes në Bundesliga 1

Berlin, 19 dhjetor, NOA - Shitja e një takimi të edicionit 2008/09 të Bundesligës së Gjermanisë në futboll është vepër e shqiptarëve. Ky është thelbi i një artikulli të shkruar nga gazeta e njohur gjermane “Bild”. Sipas gazetës ndeshja e shitur është ajo e javës 22 në mes skuadrave Bochum dhe Energie Cottbusit.

Ndeshja është luajtur më 28 shkurt të vitit të kaluar dhe përfundoi me fitoren e ngushtë, 3:2 të Bochumit. Goli i fitores u shënua në minutën e 79-të me penallti.

Sipas gazetës gjermane penalltia ishte shumë e dyshimtë, ndërsa arbitri pak minuta para se tregonte në pikën e bardhë nuk kishte dhënë një penallti të pastër për Cottbusin. Arbitri i takimit ka mohuar mundësinë që të jetë i përfshirë në shitjen e këtij takimi.

Prova që implikon shqiptarët sipas gazetës "Bild" lidhet me një bisedë telefonike të zhvilluar në Itali, në mes të dy të dyshuarve për pjesëmarrje në shitje të ndeshjeve. Bëhet fjalë për italianëve Francesco Avallone dhe futbollistit Cristian Biancone.

Gjatë bisedës, futbollisti Biancone ka treguar se si është shitur takimi Bochum - Cottbus. Ai ka thënë se e ka ditur rezultatin e ndeshjes, gjysmë ore para se ajo të niste. Në fund, Biancone ka treguar se kurdisja e takimit ishte vepër e shqiptarëve.

"Kjo ishte punë e shqiptarëve", ka thënë Biancone.

Gazeta gjermane ka shkruar se në bastet e paguara gjatë kohës sa zhvillohej takimi, janë fituar mbi 1,2 milionë euro. Biseda në mes dy italianëve është përgjuar nga autoritetet antimafia të Italisë. Humbja e pësuar nga Bochumi ndikoi që Cottbusi në fund të edicionit 2008/2009 të largohej nga Bundesliga 1. Në atë takim për Cottbusin kishte luajtur mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Ervin Skela. Skela kishte luajtur 90 minuta, ndërsa kishte asistuar në golin e parë të skuadrës së tij. Ndërsa për Bochumin 90 minuta në atë takim ishte paraqitur mbrojtësi kosovar Mërgim Mavraj, që ishte ndër më të vlerësuarit te skuadra e tij. Mavraj ka mohuar mundësinë që dikush nga skuadra e tij të ketë qenë i përfshirë në kurdisjen e rezultatit.

"Nga ana e skuadrës ka qenë çdo gjë e pastër. Lojtarët e skuadrës sonë nuk ishin të përfshirë. Ne nuk kemi ditur asgjë për këtë rast dhe as sot nuk jemi në dijeni. Krejt çka dimë janë ato që kemi lexuar në gazeta", ka thënë Mavraj të shtunën për gazetën.

Gazeta, me gjithë përpjekjet, nuk ka arritur të kontaktojë me mesfushorin Skela.

a.k./NOA
KOMENTE