Tiranë, 19 Dhjetor 2010 NOA/ Anisa Ymeri - Të drejtat e autorit në epokën dixhitale janë shndërruar në një sfidë më vete, pasi aksesimi elektronik është shndërruar në natyrshmëri tanimë. Andaj edhe mbrojtja e respektimi i pronësisë intelektaule bëhet përherë e më i vështirë.
Për këto sfida u mbajt këto ditë në Tiranë një takim gjatë të cilit drejtoresha e Zyrës Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit, Nikolina Gjordeni theksoi se edhe ligji shqiptar do të ndryshojë për t’ju përshtatur kërkesave të epokës dixhitale për qarkullimin e duhur të produktit intelektual në kushtet e reja të jetesës.
Gjordeni gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e funksionimit të tërë hallkave për përmbushjen mbrojtjes të së drejtave të autorit, prej gjyqësorit e deri tek hallka e fundit e zinxhirit por që është gjithaq e rëndësishme, ajo e ndërgjegjësimit të tregtarëve të vegjël a të mëdhenj për produktet të cilat ofrojnë.
Pasi pirateria është diçka që ndodh rëndom, jo vetëm në dyqanet që ofrojnë CD apo DVD, por pirateria ndeshet deri edhe tek transmetuesit radiofonikë apo televizivë, kryesisht lokalë, kontrolli për të cilët është më vështirë i arritshëm, çka bën që jo rrallë transmetojnë produkte pa mbajtur parasysh të drejtat e autorit dhe detyrimet për Copyright-in.
Zyra Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit është hapur vetëm në vitin 2007 dhe përgjatë këtyre viteve ka ndërmarrë disa aksione për mbrojtjen e të drejtave të autorit, në përpjekje për të përmirësuar këtë realitet në Shqipëri, ku pirateria është shndërruar kahera në normalitet.
Janë jo të paktë autorët nga ana tjetër të cilët janë konsultuar nga specialistët e zyrës për të drejtat e tyre dhe mënyrën për të përfituar nga ato. Janë jo të pakta rastet e autorëve të cilët i kanë çuar çështjet e tyre në dyert e gjykatave shqiptare.
Ndërkaq përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, Paolo Lanteri theksoi se me sfidën e ndryshimit të kuadrit ligjor në epokën dixhitale përballen të gjitha vendet e botës, pasi kërkohet një përshtatje e re në një kohë kur gjithçka mund të aksesohet nëpërmjet internetit, që nga romanet e deri tek muzika, filmat dhe gjithfarë produkti tjetër i cili gëzon të drejtën e copyRight-it.
Objekti i të drejtës së autorit në Shqipëri
Objekt i të drejtës së autorit në fushën e letërsisë, artit ose shkencës, produkt i punës krijuese të mendjes së njeriut, pa marrë parasysh mënyrën e krijimit, mjetet ose format praktike të të shprehurit dhe pavarësisht nga vlerat e tyre ose destinacioni, janë:
a) shkrimet letrare dhe publicistike, leksionet, predikimet fetare, çdo krijim tjetër, gojor ose me shkrim, dhe programet e kompjuterit;
b) krijimet shkencore, me shkrim ose me gojë, si për shembull: leksionet shkencore, studimet, leksionet universitare, librat shkollorë, programet kompjuterike, projektet dhe dokumentacioni shkencor;
c) kompozimet muzikore, me shkrim ose gojore;
ç) krijimet dramatike, dramatiko-muzikore, krijimet koreografike dhe pantomimat;
d) krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera vizuale;
dh) krijimet fotografike dhe çdo krijim tjetër, që shprehet në mënyra të ngjashme me fotografinë;
e) krijimet e arteve të bukura;
ë) veprat e artit të aplikuar, pa cenuar ato vepra si dizenjo industriale, që mbrohen nga ligji “Për pronësinë industriale”;
f) krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet, skicat në shkallë të zvogëluar dhe krijimet grafike në projektet arkitekturore;
g) krijimet tridimensionale, hartat dhe vizatimet në fushën e topografisë, gjeografisë dhe shkencës në përgjithësi;
gj) dizenjot dhe modelet tekstile të paregjistruara.
a.y/e.r/NOA