Kurbin, 19 Dhjetor 2010 NOA – Vajza gjashtëvjeçare e cila u gjet e vdekur pasdreken e sotme në fshatin Fushëkuqe në rrethin Kurbin, dyshohet se mbeti e vrarë pasi u qëllua gabimisht nga motra e vet vetëm pak më e madhe se e ndjera.
Viktima është E. Cene, gjashtë vjeçe dhe tragjedia pllakosi në familjen e Besnik Cene.
Sipas deklarimeve të familjarëve në polici, vajza e vogël është gjetur e vdekur në dhomën e saj ku u konstatua një armë zjarri.
Prindërit pohuan se kishin një armë në shtëpi e cila ishte nxjerrë sipas tyre jashtë vendit ku e mbanin të fshehur, për ta pastruar.
Policia tha se hetimet janë përqendruar në pistën e mundësisë që motra më e madhe e të vrarës, ta ketë qëlluar në lojë e sipër duke i marrë jetën.
Policia nuk u shpreh nëse ka ndërmend të marrë masa për prindërit ose personin konkret përgjegjës që la armën vrasëse pa masa sigurie duke çuar në tragjedi.
Të tilla ngjarje janë të shpeshta në zona të ndryshme të vendit, ku papërgjegjshmëria e prindërve, çon në fatalitete me viktima të pafajshme.
e.r/NOA