English

Vendet e ish-Jugosllavisë, Komision për zbulimin e krimeve të luftës

Shkup, 19 dhjetor, NOA - Mbi 40 veteranë, përfaqësues të Forcave të Sigurisë dhe luftëtarë - pjesëmarrës në luftërat që ndodhën në territorin e ish Jugosllavisë në periudhën 1991-2001 ranë dakord për formimin e një Komisioni Rajonal që do të punojë në zbulimin dhe publikimin e fakteve mbi Krimet e Luftës dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut në territorin e ish Jugosllavisë (KOMRA).

Vlerësimi i përgjithshëm i të gjithë pjesëmarrësve të konsultimeve rajonale me veteranë për themelimin e KOMRA-së ishte se pikërisht ata duhet të jenë pjesë e tërë procesit të pajtimit dhe u pajtuan për rëndësinë e dialogut të përbashkët mbi problemet e së kaluarës.

“Konsideroj se ky proces duhet të përfundojë me gjetjen e arsyeve por edhe gabimet që sollën deri në konflikte. Mendoj se Komisioni nuk mund të arrijë sukses vetëm me ndihmën e familjarëve të viktimave, por ai do të arrijë qëllimin e vet vetëm nëse do të jetë në gjendje të përgatisë një platformë për pajtim, tha Ilija Nikollovski nga Shoqata e veteranëve të sigurisë dhe mbrojtjes në Maqedonisë.

Raim Limani nga SHVL-UÇK konsideron se nuk duhet të improvizohet kur bëhet fjalë për iniciativa të tilla pasi duhet tërësisht të hulumtohen faktet për krimet e luftës por edhe ato të viktimave të luftës.

“Konsideroj se komisioni duhet të fokusohet në zbardhjen e fatit të viktimave civile. Fatkeqësisht në Maqedoni ka familje që ende nuk dinë se ku janë të afërmit e tyre, tha Limani.

Sipas Radojica Bunçiqit nga Serbia, pjesëmarrës në luftën e viteve 1991 deri 1995, Iniciativa për KOMRA është e nevojshme edhe për veteranët.

“Komisioni duhet të jetë rajonal pasi viktimat nuk kanë nacionalitet apo perkatësi fetare, unë si veteran i luftës, e di që jo secili ushtar është edhe kryerës i krimeve të luftës. Detyra për vërtetimin e fajësisë duhet t’i lihet gjykatave, ndërsa ne kemi përgjegjësi personale për atë që ka ndodh si dhe për ndërtimin e të ardhmes sonë. Për këtë arsye KOMRA është iniciativë e nevojshme për të gjithë”, tha Bunçiç.

Nermin Karaxhiç nga Bosnja tha se është e rëndësishme të njihet konteksti i aktiviteteve të luftërave dhe është e rëndësishme që gjatë hulumtimit të arrihet deri tek e vërteta faktike me qëllim që të mos lejohet që brezat e ardhshëm të ushqehen me informacion të rrejshëm.

Sipas Llazar Stojanoviç nga Koalicioni për KOMRA edhe veteranët në një mënyrë mund të kategorizohen si viktima të luftërave ashtu siç janë edhe të gjithë qytetarët që ishin pjesë e luftërave në ish Jugosllavi.

Në takimin për KOMRA morën pjesë edhe përfaqësues të familjeve të viktimave nga luftërat që kanë ndodhur në rajon si dhe përfaqësues të OJQ-ve që punojnë në zbardhjen e rasteve të të zhdukurve si dhe në projekte për ballafaqimin me të kaluarën.

Në këto konsultime, veteranët ofruan edhe sugjerime për draft Statutin për KOMRA, i cili vazhdon të jetë një dokument në hartim e sipër. Me këtë dokument, përcaktohet qartë mandati i komisionit të ardhshëm si dhe qëllimet dhe detyrat e tij.

Konsultimet rajonale me veteranët nga të gjitha vendet e ish Jugosllavisë janë shumë të rëndësishme për Koalicionin për KOMRA, i cili përbëhet nga 1032 organizata joqeveritare dhe individë nga të gjitha shtetet e rajonit, i cili zhvillon procesin konsultativ për themelimin e një Komisioni Rajonal për Vërtetimin e Fakteve për të gjitha viktimat e luftërave në territorin e ish Jugosllavisë.

Deri tani Nisma për themelimin e një komisioni hetues ndërshtetëror ka gjetur mbështetje nga Parlamenti i Malit të Zi, si dhe nga presidentët e Kroacisë dhe Serbisë, Ivo Josipoviç dhe Boris Tadiç.

Nisma për KOMRA filloi në vitin 2008. Ajo përfshin të gjitha shtetet që u formuan në territorin e Ish Jugosllavisë. Maqedonia dhe Sllovenia iu bashkëngjitën nismës në vitin 2010.

NOA/INA

KOMENTE