English

Adi Krasta, në një rrëfim ndryshe

Intervista/ Krenaria e brishtë e Adi Krastës shfaqet në formën e një buzëqeshje artisti ku rrezatohet madhështia e thjeshtësisë: duket sikur në të synohet zgjimi i ambicjes kolektive për sukses. Mesazhi i pathënë është i qartë: Suksesi për njerëzit që punojnë fort në një vend të vështirë, ku puna intelektuale nuk sjell gjithmonë gëzim dhe arritje, nuk është thjesht një sukses, por një sfidë autoriteti profesional

Kush është Adi Krasta?

Krasta, pas 22 vjetësh në jetën publike të vëndit të tij, është një djalosh që profesionin e sheh me shumë seriozitet. Ai nuk ndërton marrëdhënie servile me dashamirësit e tij dhe nuk frigohet nga dashakeqët.

Vetëdija e fshehur në heshtjen shumëthënëse të njeriut që i ka shtuar krenari dhe publicitet intelektual jetës publike të vëndit të tij, rrëmben gjithmonë vëmendje të re dhe përshtypje të re.. A jeni ju një adhurues surreal i vetvetes? A do të donit të ndryshonte dicka në imazhin tuaj?

Po të kisha marrë një pozicion “politikisht korrekt” do kisha thënë se nuk kam qënë kurrë një adhurues i vetes. Kjo nuk do kishte qënë plotësisht e vërtetë. Më ka pëlqyer vetja (adhurimi është ndjenjë ca e fortë për mua si natyrë), sa herë që kam bërë diçka të vlerësueshme. Sa herë që nga aksioni im vetiak, janë vendosur fate pozitive të aktiviteteve ku kam qënë pjesë. Por faktin se edhe tani i jap të drejtë të gjithë atyre që duan të më ndryshojnë, ose përmirësojnë, e konsideroj jo vetëm të mbarë, por edhe fatlum. Le të ndryshojë çfarëdoqoftë e vjetër, e gabuar dhe e pavënd në imazhin tim, në ecjen përpara!

Ju keni ngjitur shkallët e arritjeve tuaja pas zgjedhjes për të sfiduar pengesat, xhelozitë dhe vështirësitë, duke synuar energji te reja drejt qëllimeve finale dhe ja keni dalë.. Ja ku jeni një njeri i suksesshëm, në një vend të vështirë dhe në një kohë të vështirë për sukses dhe karierë. A mendoni se potencialet intelektuale dhe talentet në vend kanë veshtirësi afirmimi dhe publikimi?

Shqipëria megjithatë nuk është ferri i fatit të talentit. Nuk është vendi më i keq në botë dhe natyrisht talentet e saj nuk janë të persekutuar. Ka në këtë vendin tonë të vogël disa vështirësi specifike që e bëjnë daljen mbi dallgë disi të vonuar, sidoqoftë. Shqipëria, ashtu rurale, e kursyer, e ngadaltë dhe sidomos, shpesh e dobët, nuk harron të vlerësojë. Vlerëson shkujdesshëm, me një lloj indiference karakteristike të shikimeve që i japin një gruaje të bukur por kontraversiale ndërsa kapërcen një shesh të Palermos. Vlerësimi në këtë vënd nuk është i menjëhershëm. Është një proces. I ngjan vuajtjeve të gjithë atyre që digjen flakë për sukses dhe famë, kudo në botë.

Pra, doni të më thoni që ekzistojnë mundësi reale për potencialet intelektuale dhe talentet në vend. Por, a ka inflacion në vlerësim dhe përzgjedhje? A ka një mekanizëm kombëtar për identifikimin, stimulimin, mbështetjen e vlerave intelektuale tek ne, dhe nëse po, mendoni se ka klientelizëm publik, korrupsion dhe klane brenda këtij mekanizmi?

E kam ndarë në dysh pyetjen tënde Artan, sepse dua të jem i ndershëm me shqetësimin tënd. Televizioni është një fushë bujare për blatimin e famës dhe vëmëndjes së përgjithëshme. Gazetaria e shkruar është me e pafuqishme ndërsa letërsia, aristokratike dhe primadonë, është si të thuash, jashtë loje. Në televizion bëhesh i famshëm brënda natës dhe fama nuk vdes brënda natës së ardhshme edhe nëse bëhet fjalë për një qënie të përçudnuar ose thënie skandaloze. Gazetaria e shkruar ndriçon nje emër e mbiemër që gjithësesi është shumë pak për atë që një krijues përfaqëson. Romani, Esse-ja, Tregimi i shkurtër, Artikulli e Reportazhi të bëjnë të vlerësuar në rrethe të caktuara dhe vështirësisht të famshëm. Këtu nuk ka vend për nervozizëm dhe sidomos as për qëndrime pesimiste.

Harruat të përmendni poezinë…A mendoni që Elita Shqiptare është ajo që do duhej të ish bazuar në logjikën se një elitë duhet të jetë në përpjestim të drejtë me aftësitë , intelektin dhe talentet e vërteta të pjesëtarëve të saj?

I janë bërë shumë atentate Elitës Shqiptare. Sot do ishte më me vend të flisnim me sinqeritet për një surrogate të vetë Elitës. Asgjesimi fizik gjatë periudhës komuniste, bjerrja e integritetit dhe mbi-militantizimi i asaj çka kishte mbetur prej një gjysmë-elite te dikurshme e ka bërë pothuaj të pamundur që elita shqiptare të mbajë një pozicion, apo aq më pak të imponohet. Sot ka përpjekje për të futur në zonën elitare hajdutë ordinerë me çizme që kane vjedhur këto 20 vjet dhe vazhdojnë të vjedhin edhe ndërsa flasim, pasuritë e Shqipërisë. Ata janë të pasur, arrogantë, injorante, ose shumë të shkurtër, ose shumë të gjatë (si për të mos i lejuar që edhe fizikisht të jenë normalë) dhe sidomos të paturpshëm në kërkesën e tyre për të hyrë forcërisht në rrethet elitare. Mund të flitet madje edhe për një sulm të palodhshëm ndaj elitës, për një sulm me granata për ta bërë atë të rrëzohet plotësisht, ose për të çarë paretin e fundit të mbrojtjes së saj. Ndaj, nuk mund ti kërkojmë asgjë elitës së Shqipërisë në këtë moment. Ajo duhet ti shpëtojë sulmit më të egër, të rigrupohet, të pastrojë strukturën e saj nga sulmuesit (shpesh simbiotikë) dhe të riprogramojë ekzistencën. Ndërkohë, individi me talent, është vetëm!

Ju konsideroheni në Shqipëri, Kosovë e më gjerë si prezantuesi më i mirë i shqiptarëve. C’do të thotë kjo për ju? Si ndjeheni pas sukseseve tuaja televizive dhe pas bindjes absolute të teleshikuesve se ju nuk jeni thjesht një personalitet mediatik, por njeriu që diti ta drejtojë simpatinë publike drejt krijimit të një simboli apo modeli suksesi?

Ky ka qënë një fiks-ide për mua, jo një obsesion psikopatik, por një ide e patjetërsueshme e cila e ka shënjuar punën gjatë këtyre vjetëve. Të jem një profesionist i mirë, (të jesh i pari ose më i miri është relative) të mirëpërdor simpatinë e publikut për të ndërmarrë aksione të mira (të tilla si çiltërsia, të thënit e të vërtetës edhe me kosto personale, të mosmarrit anë politike e kështu më rradhë). Të jesh, ose të konsiderohesh në Shqipëri më i miri është pak përpjekje donkishoteske, por të bësh paqe me veten, për atë që mundet të mbërrihet, të mos bëhesh intrigant, e të mos vdesësh nga marazi kur dikush tjetër arrin suksese, është të kesh fituar një betejë të madhe.

Është e vërtetë, ju jeni nga të rrallët njerëz publikë ne Shqipëri që duket se keni fiksuar një ekulibër shpërfillës ndaj politikës së ditës, duke mos marrë pjesë i pozicionuar në të? C’mendoni për politikën shqiptare? A shikoni tek ajo shkakun kryesor të tejzgjatjes së tranzicionit, apo, brishtësia e demokracisë ose edhe ndotja e moralit të kësaj politike, për të cilën flitet shpesh, janë pasoja të shkaqeve të tjera, të fshehura thellë në historinë tonë.

Politika shqiptare është aq e sëmurë, sa me gjithë afrimin e Evropës, nuk do isha çuditur të kishte ndodhur i njëjti revolucion si ai i viteve 90-të për ta pastruar atë nga gangrena. Kadare e ka quajtur politikanin shqiptar, arrogant, fodull, fshataresk dhe të trashë. Por ai, që nga përcaktimi kadarean, ka ndryshuar shumë. Tashmë ai i bën dëm Shqipërisë në forma shumë më të rrezikshme dhe të sofistikuara. Pothuaj të gjithë politikanët e lartë janë pasanikë, sensi i tyre i hajdutërisë më kujton çetat e zhvatësve të viteve 1700 në monopatet e pasigurta të fshatrave të perandorisë. Në një skenë të tillë të shpjeguar qartë nga një regjisor maqedonas, Mancevski, në një film të tijin, nuk të mbetet gjë tjetër veçse të rrish larg, madje larg dhe i nxirë, që të shohin qartë reagimin. Ata, duhet të ndjejnë neveritjen elegante që kemi për ta. Një neveritje e mirësjellshme por që është aty e pandryshueshme. Jo xhelozi për pasuritë e tyre dhe faktit që vjedhin në grup dhe me efikasitet. Një neveri për atë që duan të arrijnë pas vjedhjes dhe pasurimit: Kërkojnë të bëjnë pjesë në ”Rreth”. Kërkojnë të bëjnë trafik favoresh dhe të ndryshojnë historinë e tyre personale e familjare (shpesh të dyshimtë). Nuk është vet-mospozicionim ky i imi. Është qëndrim i largët, qësënditës, tallës pak si më budallallëk dhe përsëri i largët për të mos u ndotur.

Megjithatë, politika është një arenë që josh shumë intelektualë të rinj tek ne, sipas logjikës se vetëm nëpërmjet saj mund të arrish synimet që ke? Mendoni se rinia intelektuale duhet ta synojë seriozisht politikën, apo do këshillonit çfarë për atë? Punë dhe përkushtim në pasionet që kanë? Mendoni se ëndrrat mund të bëhen realitet në vendin tonë, duke punuar fort jashtë politikës? E përjashtoni mundësinë ju të jeni ndonjëherë në politikë?

E përjashtoj hyrjen time në politikë. Djemtë dhe vajzat e reja të politikës (që për fat të keq sapo prekin dyshemenë gjithë bajga të kësaj arene fillojnë në mënyrë të papërmbajtshme të Lajëzohen-Laja është një personash i një gruaje komuniste që u burrërua për tu krahasuar me burrat), do tu duhet të bëjnë martesa të çuditshme me interesa dhe realizime problematike. Ka prej tyre që janë idealistë. Ka që janë arrivistë. E keqja është se në finish, të dy grupimet sillen njësoj.

Mbas daljeve të shumta publike, a ndodh Adi Krasta të ketë çaste emocionesh përpara kamerave apo përballë publikut. Çfarë është më e rëndësishme për një prezantues? Ku fshihet çelësi i suksesit dhe ngritjes. Keni patur ju një ëndërr të hershme, një strategji, apo talenti mediatik ka qënë fshehur në nëndijen tuaj, si një magji, dhe një ditë të bukur shpërtheu papritur në formën e pamposhtur të një besimi të shprehur me fjalët: “Unë do të jem Adi Krasta”?

Ha ha ngadalë, ngadalë….bëhet fjalë për një drejtues programesh radiotelevizive, jo për Bonapartin, as Mandelën dhe as Xhon Lenonin. Kamera televizive është më shumë sesa një aparat projektues. Është një mjet komunikimi. Patjetër që ka çaste emocionesh dhe pasigurie, shqetësimi dhe ndoshta thellë -thellë, frike. Ka profesionistë të nivelit të lartë në botë që e krijojnë pasigurinë edhe aty ku nuk egziston. Pasiguria na bën si ata që shohin programin. Siguria e tepëruar, arroganca dhe të vetëndjerit si VIP të distancon dhe të bën të mjerë. Njoh shumë kolegë mediatikë në Shqipëri që edhe pse janë shumë të pasur, natyrisht shumë të famshëm, ndjehen të mjerë, viktimistë dhe shpesh jam munduar të kuptoj ç’farë ua shkakton këtë ndjenjë trishtimi gri.

Mendoni se janë shumë? Nëse janë shumë, patjetër propabiliteti që të paktën disa prej tyre rrezikojnë të kenë kuptuar se janë të pamerrituar dhe ju rrinë të mëdhenj kostumet “extra large” të lavdisë, është i madh… Por nuk dua të zgjatemi me këtë. Ju Adi, keni jetuar e punuar disa kohë në Angli, për BBC-në. C’linjë profesionaliteti përsosët nga eksperienca atje?. A ishit edhe aty ADI KRASTA? A e ndjenit mungesën e magjisë së emrit që keni në Shqipëri?

Një ditë po shkonim nga shtëpia jonë në Lee për në qëndër të Londrës. Madje na kishte zënë një debat me time shoqe, Brikenën, për librin e fundit të Dan Broën-it dhe faktin që në tren të gjithë po lexonin librin e tij. Tri ndenjëse më tutje një djalosh londinez (e folura melodioze cockney) po i shpjegonte gjithë gjeste mikut të tij zezak se njeriu i shoqëruar nga zonja e re nuk ishte gjë tjetër veçse një prezentator televiziv i vendit të tij. Zezaku u cua nga vendi dhe pyeti me ngadalë nëse unë quhesha Krasta. Me rreth 30 mijë shqiptarë vetëm në Londër, edhe ato tre vjet nuk munda të luaj njeriun krejtësisht anonim. Por jeta në Londër më ka dhënë shumë kënaqësi. Në Shërbimin Botëror të BBC nuk donin shumë tja dinin kush ishte Krasta dhe çfarë kishte bërë në jetë. Ata e ndryshuan me finesë, por një herë e përgjithmonë këndvështrimin tim për gazetarinë, lajmin, faktin, të vërtetën, politikën, njeriun. Ishte universitet gazetarie që unë nuk kisha mundur ta bëja deri atëhere.

Marrëdhënia juaj me letërsinë. Çfarë mendoni lidhur me krizën e krijimit letrar? I ka ardhur vjeshta romanit në përgjithësi? Do vijë një ditë kur nuk do shkruhen romane? A mendoni se proza do të jetë viktimë e kurtheve të zhvillimit në të ardhmen, kur nuk do të supozohet më si një nevojë shpirtërore e njerëzimit?

Kriza ime me romanin si lexues ka filluar relativisht herët. Sapo fillon punë në një institucion mediatik, radio, ose TV një nga kompromiset e para që bën është lënia peng e vetes ndaj sipërfaqësisë. Dhe siç thuhet në universitetet më prestigjioze të botës, për tu bërë sipërfaqësor, mjafton të mos lexosh më romane. Por, nuk kam nguruar sidoqoftë të lexoj romanet e mira të romancierëve të mirë. Në Shqipëri, romani ra i pari në luftën për tu bërë pasanikë me cdo kusht. Kapitalizmi dhe romani në vend nuk janë takuar ende. Ndërkohë, si një virus që përfshin një softëare, Shqipërinë e kanë pushtuar gjithfare grafomanësh, njerëz të çmëndur që nxjerrin libra me një lehtësi të tillë që një romencier do e kishin thinjur prej indinjatës. Romani nuk po bie si një gjethe vjeshte. Ai thjesht është në kërkim të vetes dhe të atyre që e duan shumë për ta shkruar me përgjegjësi.

Mendoni se kompanitë mediatike janë të pavarura në Shqipëri? A ndjeheni profesionalisht keq kur konstatoni njëanësi të shtypit apo përdorime të medias për qëllime politike? A ka në Shqipëri shtyp seriozisht të pavarur? A ka moral shtypi shqiptar, bazuar në faktin se me moral supozojmë kauzën e të vertetës dhe lirinë e shprehurit? A është shtypi i lirë në Shqipëri?

Shqiperia është një vend ku duhet bërë me marrëveshje kombëtare një përcaktim i qartë i termit “Liri”. E kemi kaq të distorcuar këndin e vështrimit të lirisë saqë cdo tentativë për të folur për lirinë tonë, tingëllon autotallës. Shqipëria nuk është toka fertile për liritë e individit. Në një vend ku gjysma e njerëzve urren gjysmën tjetër politikisht dhe kur është në pushtet bën cdo gjë për të domunuar me mënyrat e Xhengis Khanit, ti nuk mund të flasësh për lirinë dhe të mos skuqesh. Ka shqiptarë që janë blerë nga të huajt. Blihet vazhdimisht për dy groshë administrata shqiptare ndaj çdo dhunuesi të rradhës. Por askush nuk blihet në mënyrë aq të shëmtuar sa mediat në Shqipëri. Manipulimi i fjalës, i emrit të kundërshtarëve politike dhe i vetë të vërtetës është aq i paturpshëm saqë vetë të përdorurit e medias e ndjejnë veten keq, sidomos ata që kanë famë apo ndikim. Nëse do i bënim një analizë shtypit shqiptar apo mediave elektronike në vënd, do kishte qënë kurajoze të flitej pikërisht për moralin e tij. Në një vend ku morali është koncept i tejkaluar, nuk mund të gjesh një media të moralshme. Vetëm paratë që një media e madhe e vendit ka marrë këto vjet nga paratë e taksapaguesve që i jep qeveria e vendit, do ia kishte mbyllur gojën cdo entuziasti të lirisë së shtypit në Shqipëri.

Ju i takoni një brezi që përjetoi emocionin e ndryshimit mes dy epokave. C’raport, ç‘perceptim, ç’përshtypje keni ju, me dhe për periudhën e para viteve ’90? A ishte e nevojshme për ju atë kohë aplikimi i një teknike për të mbijetuar pa u lënduar prej diktaturës. E keni ndjerë realisht komunizmin si një diktaturë shtetërore në rininë tuaj studentore, dhe pasojat sociale të tij, varfërinë, meskinitetin, vakuumin e sjellë prej mungesës kolektive të lirisë?

Kur mendoj se sa shumë kanë vuajtur shumë familje në vendin tonë, si janë vrarë pa gjyq, si janë zhdukur, burgosur, tradhëtuar, tallur, bëhem natyrshëm një mbeshtetës për një analizë të madhe, të plotë, të thellë dhe të pakthyeshme për atë kohë. Diktatura e Enver Hoxhës ishte jashtëzakonisht e rëndë. Komunizmi po aq antipatik sa antikomunizmi i sotëm i disa komunistëve të asaj kohe. Drama që kemi përjetuar na shtyn të mos mbyllim gojën ndaj përpjekjeve të sotme për neodiktaturë. Shqiptarët në pushtet (kurdoqoftë që janë dhe kushdoqoftë që është) kanë prirje të natyrshme për diktaturë. Ka të tjerë që e mbështesin me kërshëri atë. Ka që kënaqen kur të tjerë vuajnë, një dalldi e tërë sado-mazo. Diktatura komuniste i thau shtyllën kurrizore djaloshare Shqipërisë. Tranzicioni haxhiqamilesk po e kthen atë në një shtet transvestit. Më rezulton se nuk kemi nxjerrë konkluzione nga diktatura.

Ju jepni lëndën e marrëdhënieve me publikun në universitetin e AAB-Riinves të Prishtinës. A i njihni kosovarët? A mendoni se ne jemi dy shtete, në parametrat e duhur për të qënë gati drejt një bashkimi kombëtar. A plotësojnë shqiptarët dhe kosovarët kushtet për t’u supozuar, njëra pjesë, gjysma e tjetrës?

Kam dhjetë vjet që shkoj çdo javë në Prishtinë. E njoh Kosovën po aq sa e njoh Shqipërinë. E dua po aq. Kosovarët janë shqiptarë interesantë. Janë më me etiketë në sjelljen e zakonshme. Kanë padyshim defekte si gjithë shqiptarët. Tanimë jemi dy shtete. Dhe sipas mendimit tim duhet të mbetemi kështu. Nuk kam qënë dhe nuk jam entuziast për një bashkim të mundshëm edhe pse ky qëndrim mund të mos mirëpritej. Bashkimi i nxituar i dy gjysmave të papjekura mund të sillte një të tërë të paqëndrueshme. Por jam i lumtur që kemi një tjetër shtet shqiptar në Ballkan. Një Kosovë e fortë, bën një Shqipëri të fortë dhe viceversa. Konstatoj me dhembje se klasa politike e Shqipërisë e ka infektuar klasën politike të Kosovës ku konstatohen lehtë klanizmi, bajraktarizmi, etja për pasurim të menjëhershëm dhe vjedhja e aseteve publike e kombëtare.

Si prezantues, si e përjetoni mbështetjen publike të popullit të Kosovës?

Si komunikues i masës, nuk mund ti drejtohem vetëm një pjesë të saj. Për të qënë i plotë më duhet ta konsideroj atë si një të tërë. Kosova është plotësimi i tregut të munguar mediatik. Shqiptarët e kësaj treve shqiptare sjellin freski në thelbin e shqiptarizmit. Vëmendja e kësaj pjese të popullsisë i jep çdo figure publike një mbështetje të domosdoshme. Kur një program është i bukur, ose me vlera, pa reagimin dhe komplimentet e qytetarëve kosovarë duket se është e paplotë dhe e pa vlerësuar plotësisht.

A mendon Adi Krasta se emigrantet dashamirës shqiptarë janë të shpërfillur nga shteti i tyre? Nëse po, a e ndjeni këtë shpërfillje, këtë moskuptim, këtë lajthitje, si një absurditet kombëtar? A besoni se, te integruar dhe kosoliduar ekonomikisht në perëndim, do të përbënin realisht një shpresë kombëtare për rigjenerim social në shërbim të integrimit të vendit?

Nuk është përcaktuar plotësisht në kohën që jetojmë se çfarë është një emigrant shqiptar. Shpesh me këtë term vjen një ndjesi e trishtë e dikujt që nuk ishte as me fat dhe as i dashur deri në fund në atdheun e tij. Emigranti shqiptar shpesh në psikikën e atyre që mbeten në vend është një fatlum i cili pas vuajtjeve të jashtëzakonshme që shpesh të marrin edhe jetën, ka mbërritur në "Tokën e Premtuar" për tu njohur me diçka që neve të mbeturve në vend nuk na i rrok mëndja. Një bashkim dilematik ndjesish për një njeri shqiptar që i është larguar me vrap por edhe me mall vëndit të tij, Shqipërisë e cila qëndron aty ku ka qënë gjithnjë si një xhaketë e vogël, e varfër për shpatullat e gjëra, djaloshare të dëshirës për të gëzuar të vetmen jetë. Këto kohë jam njohur me njërën prej dhëmbjeve më të mëdha të emigrantëve: konstatimi i vonuar por i kthjellët si një zgjim nga ëndrra se ata që mbeten pas, më shumë sesa mall për praninë e munguar të emigrantëve, kanë interes për remitancat, domethënë dërgesat që vijnë herë-pas-here. Janë të mirë emigrantët dhe përderisa kanë realizuar një dëshirë më të madhe sesa vetë qëndrimi në vendin e tyre, duhet të ndjehen të lumtur. Askush në Shqipëri nuk e kuptoi kurrë trishtimin e emigrantëve, qëndrimin e tyre të dyzuar në të dy vendet, atij që lanë dhe atij që gjetën. As sensin e tyre të kritikës për vendin amë nuk e kuptojmë ne që mbetemi në Shqipëri. Mungesë për vende pune, racizëm, vështirësi për të çarë përpara ka gjithkund, atëhere pse Shqipëria duket gjithësesi më e keqe, ose e keqja më e madhe? Ka një moskuptim të Shqipërise (Kadare tek Mosmarrëveshja) me njerëzit e saj që jetojnë e përpiqen brënda terriorit të saj, por ka një moskuptim të thellë me të gjithë emigrantët që kanë gjetur, dashuruar, kanë jetuar e vdekur në një atdhe tjetër. Ndoshta kështu është emigranti, i moskuptuar plotësisht nga të dy atdhetë. Kaq mund të themi ne që ndonjëherë e ndjejmë veten emigrantë në atdheun tonë dhe prapë heshtim, përpiqemi të gjejmë arsyen e atij moskuptimit kërcënues që shoqëron egzistencën tonë. Kaq mund të them edhe unë.

Familja. Dashuria. Liria. Krijimi. Leximi. Ekrani. Spektakli. Miqësia. Meditimi. Sporti...Çfarë do të ndryshonit në radhën e mësipërme. Keni ju një përkufizim adikrastian të dashurisë, me fraza që nuk janë thënë ndonjëherë? Besoni se, mes gjithë marrëzive që ndodhin në jetën e njeriut, dashuria është e vetmja që ka një dozë hyjnore, qiellore, dhe e vetmja që në këtë botë,vlen seriozisht?

Po e provoj me radhën: Familja, Liria, Dashuria, Krijimi, Miqësia, Leximi, Ekrani, Spektakli, Meditimi, Sporti.

Nuk kam mundur ti bëj asnjëherë një përkufizim të vecantë dashurisë. Gati nuk kam bërë as përpjekjen e duhur, duke qenë pothuaj i bindur se është për mua një detyrë mbi fuqitë e mia. Por jam i lumtur se kam dashuruar dhe dashuroj të njëjtën grua, që vajzë 23 vjecare e kam parë fare rastësisht të kalonte në korridorin e Radio Tiranës, 15 vjet më parë. Quhet Brikena Darova Krasta.

Bisedoi: Artan Mullaj

KOMENTE