Tiranë, 20 dhjetor, NOA – Duke iu referuar akuzave të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, Karla Del Ponte, e cila së fundmi duke mbështetur raportin e Dick Martyt ka deklaruar në një intervistë se shteti shqiptar nuk ka ndihmuar në kryerjen e hetimeve në vitin 2004 për akuzat për trafikim organesh të të burgosurve serbë në vitin 1999 një trafik i madh që drejtohej nga udhëheqësit e UÇK-së në përfundim të konfliktit në Kosovë, Prokuroria e përgjithshme deklaroi se nuk ka dijeni për hetimet në fjalë për të cilat ka folur ish-kryeprokurorja e Hagës, akuza të cilat ajo i ka shkruar edhe në librin e shumëpërfolur të saj, “Gjahu”. Në një konferencë të posaçme për shtyp, zëdhënësi i kryeprokurores, Plator Nesturi theksoi këtë pasdite se prokuroria nuk është në dijeni të të dhënave që pasqyron raporti i eurodeputetit zviceran Dic Marty.
Sipas Nesturit akuzat e Martyt për institucionet shqiptare janë tërësisht të pabaza.
Ndërkohë që akuzat për trafik organesh me të burgosurit serbë në mbyllje të konfliktit janë akuza të vjetra.
Më herët, në një intervistë të dhënë për një përditshme zvicerane e publikuar edhe nga gazeta “Koha ditore” në Kosovë, eurodeputeti zviceran Dick Marty ka bërë thirrje që të nisë hetimi menjëherë për zbardhjen e kësaj çështjeje, për të cilën ai tha se ka shumë fakte.
Marty duke iu referuar kundërshtimeve në bllok që kanë mbërritur pas publikimit të raportit të tij, tha ndërkaq se ai s’ gjykon askënd, por as nuk mund të falë askënd, duke vënë në dije se për këtë çështje nuk ka patur kurrë një hetim të mirëfilltë.
Marty madje ka deklaruar se raporti i tij nuk u publikua për t’i bërë dëm Kosovës, porse ai i shërben një qëllimi të mirë të zbardhjes së krimeve.
Sipas tij e ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa u ballafaquar me të shkuarën.
mit/NOA