English

Basha: Proces i suksesshëm me vizat, 11 mijë persona kanë kaluar kufirin

Tiranë, 20 dhjetor, NOA – Ministri i Brendshëm Lulzim Basha e ka cilësuar si të suksesshëm procesin e liberalizimit të vizave. Në një prononcim për mediat, Basha tha se deri dje kanë kaluar rreth 11 mijë qytetarë për në vendet e zonës Shengen, që nga dita e parë e heqjes së vizave.

Ai u shpreh se ky fluks është normal dhe nuk mund të flitet për dyndje masive. Basha tha se personat që janë kthyer në pikat doganore kanë pasur probleme me dokumentacionin, ose kanë qenë më parë të penalizuar.

“Në kemi një raport të përditshëm. Deri dje në 12 të natës kanë kaluar në pikat doganore 11 723 persona. Është normale, nuk bëhet fjalë për ndonjë eksod”, tha Basha.

Duke folur për qytetarët e kthyer në pikat doganore, Basha u shpreh se ka pasur probleme në Kakavijë, por kontaktet e palës shqiptare janë të vazhdueshme me të gjitha autoritetet e vendeve fqinje.

“Ka të kthyer që janë me probleme. Kemi pasur probleme në Kakavijë, janë marrë të gjitha masat. Mendoj se procesi është i suksesshëm”, tha sot Basha në një konferencë për mediat.

a.k/NOA

KOMENTE