Tiranë, 20 dhjetor, NOA – Pas pjesëmarrjes në samitin e Partive Popullore Europiane, i mbajtur në Bruksel në 16-17 dhjetor, dy ditë pas liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në zonën Shengen, kryeministri Sali Berisha deklaroi se shqiptarët e pritën me dinjitetin më të madh, me mënyrën më të pjekur dhe më të qytetëruar, ditën e parë të heqjes së vizave, një fakt që kryeministri ua ka bërë të njohur edhe eurodeputetëve në samitin e PPE-ve. Duke përgëzuar shqiptarët për përgjegjshmërinë e shfaqur gjatë lëvizjes pa viza në vendet e Shengenit, gjatë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat, shefi i mazhorancës deklaroi se ishin vetë qytetarët shqiptarë që par excelence, përgënjeshtruan dhe hodhën poshtë, shpifjet dhe trillimet e makinerisë së bllokmenëve të rinj, që kishin mbushur Evropën me letra dhe denoncime, ku paralajmëronin para heqjes së vizave sikundër tha kryeministri, një eksod prej 1 milionë qytetarësh drejt BE-së.
“E vërteta është që ky qëllim, për të cilin kishin shkruar dhe në gazetat e tyre, madje kishin çuar dhe lajme në Bruksel se të përndjekurit politik do të vijnë dhe do të bëjnë protesta para Komisionit Evropian, do kërkojnë azil, politik, shpifje dhe trillime të denja vetëm për moralin e tyre. Përpjekjet i bënë për të nisur një grup. Biletat i morën, por i dogjën”, informoi kryeministri.
Ai siguroi se informacioni i bërë nga qeveria për këtë proces ka qenë më i ploti, duke vlerësuar se edhe qëndrimi i qytetarëve shqiptarë ka qenë në lartësinë e përgjegjësisë dhe dinjitetit të mirënjohjes së këtij vendimi fisnik.
Shefi i ekzekutivit tha ndër të tjera se ai i kishte garantuar qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për vendosmërinë e qeverisë shqiptare në marrjen e të gjitha masave për të shmangur çdo lloj abuzimi, në procesin e lëvizjes së lirë pa viza.
Kryeministri e cilësoi rishtas këtë moment historik urimin më të bukur dhe kartolinën më miqësore që Evropa i ka dërguar Shqipërisë në tërë historinë e saj.
mit/NOA