English

Kundrejt politikës hermetike

Kufizimin e lirisë mund të na shkaktojë vetëm qenia gjithë-detyruese, dhe jo pushteti ose një politikë e caktuar siç jemi mësuar ta shohim me sytë e krisur. Të të kufizohet e drejta e cila buron drejtpërdrejt nga ligjet e natyrës është një ves i pakuptimtë shoqëror. Sepse e drejta, si kudo në botë na mundëson të jetojmë dhe të jemi qenie me karakter shoqëror duke i dhënë vetes ambicie për t’i realizuar të gjitha objektivat njerëzore sipas një logjike të arsyeshme dhe tepër njerëzore.


Nga Bujar Plloshtani*


Kufizimi i lirisë është i përcaktuar më herët nga ligjet e natyrës, dhe në rend të parë ky kufizim i përket gjinisë njerëzore. Kufizimin e lirisë mund të na shkaktojë vetëm qenia gjithë-detyruese, dhe jo pushteti ose një politikë e caktuar siç jemi mësuar ta shohim me sytë e krisur. Të të kufizohet e drejta e cila buron drejtpërdrejt nga ligjet e natyrës është një ves i pakuptimtë shoqëror. Sepse e drejta, si kudo në botë na mundëson të jetojmë dhe të jemi qenie me karakter shoqëror duke i dhënë vetes ambicie për t’i realizuar të gjitha objektivat njerëzore sipas një logjike të arsyeshme dhe tepër njerëzore. Këtë liri dhe të drejtë nuk mund të na kufizojë askush tjetër, pos zotit suprem i cili është vetë frymëzuesi i kësaj. Sot kemi shprehjen e pushteteve që arrijnë sadopak të kufizojnë lirinë dhe të drejtën e qytetarit. Një politikë hermetike dhe gjithëpërfshirëse me mjete politike mund ta kthejë terrin shoqëror ndërmjet ekzistencës duke premtuar me nocionin e “fjalës demagogjike”.

Sot pushtetet gjoja demokratike nuk dallojnë shumë krahas pushteteve moniste, ngaqë pushtetet kanë vullnet mbi lirinë e tjetërkujt, si dhe të vendosin mbi fatin e tyre duke i mbyllur hermetikisht në mënyrë “diplomatike” me tekat e tyre personale duke i vënë në gjumë. Politikat e tyre shfrenuese janë për popujt letargjik, siç jemi ne të gjithë... Kjo është tepër alogjike dhe spastruese në pikëpamjen e gjykimit nga e drejta njerëzore për të përfituar nga e drejta e tjetërkujt...

Domethënë njeriu trajtohet si forcë polarizuese ndërmjet veti, ngase natyra e gjinisë njerëzore si të tillë e krijon mendimin mbi veten kundrejt të tjerëve. Në fakt, për mendimin tim natyra është forca e cila e graviton arsyen njerëzore, ndërsa njeriu e drejta për t’u sprovuar. Edhe përkundër kësaj filozofia ime është e prirur të vlerësojë arsyen tek njeriu, sepse ajo e bën atë të domosdoshëm në këtë ekzistencë kalimtare... Të tjerat; si kufizimi i lirisë për hir të interesit të disa individëve apo grup njerëzish me ngjyrë politike, dhe mosrespektimi i të drejtës njerëzore për të gjithë në radhë të parë janë kushte ekstreme jorealiste që shtrijnë një fizikë atomike që thërrmojnë qenien përtej rrëfimeve të dikurshme, paksa të arsyeshme... Unë nuk kam besuar asnjëherë aftësinë apo zotësinë mbi të drejtën, sepse e drejta kurdoherë është në varshmëri të ligjit dhe nuk ka masë për ta nënshtruar atë për qëllime fikse personale.

Nëse njeriun e politikës së çështjes nuk e arrin askush ta shtrëngojë duhet të ketë një Zot suprem i cili mund ta shtrëngojë duke e diktuar sipas një rregulli a vullneti të jashtëm strikt, duke e bazuar nga shtrëngimi i llojit që buron nga përgjegjësia morale. Në të kundërt veprimtaria e kësaj politike të çon lehtësisht kah regresi në shprehjen drejt barbarisë. Me pak fjalë kjo do të thotë shkëputje totale nga realiteti njerëzor, dhe ikje nga përgjegjësia morale e të qenurit njerëzor. Por, fundja këto njerëz nuk kanë as ekzistencë as etik ekzistenciale, prandaj bëjnë lojën e këtij fati të hidhur, sepse brendësisht janë të thërrmuar për të therrmuar të tjerët. Ndërkaq, problemi më i madh për natyrën njerëzore mbetet hermetizimi i tyre kundrejt një fati të ligjshëm që ia imponojnë kushtet e kësaj politike regresive, si dhe shkëputja e tyre normale nga jeta fatlume e kësaj ekzistence. Shoqëria në përgjithësi e do harenë dhe harmoninë, por “shejtanllëku politik” i disa individëve në mënyrë pothuaj gati të pa drejtë konsiderojnë të drejtën e të gjithëve si e drejtë e tyre personale, duke i izoluar hermetikisht kushtet e tyre ekzistenciale sa të mos shohin përtej realitetit të tyre. Sot të gjithë kanë vullnet duke mundur të kurdisin një kurth që të mund ta cënojnë ekzistencën e përgjithshme, por nesër “esenca do t’i paraprijë ekzistencës” dhe përgjegjësia e tyre do të konkretizohet duke u shfaqur në shesh... E keqja ka një fund, por e mira mbetet pa infinitiv... Unë jam i mendimit që klasa shoqërore të jetë vetë e prirur të kërkojë zgjidhjen e fatit të tyre me mjete të ndryshme, duke arritur me përpjekje njerëzore të zgjedhë një shoqëri qytetare me plot përgjegjësi dhe etik për të shprehur revoltë kundrejt këtij “shejtanllëku politik”, duke krijuar një administrim korrekt të së drejtës në mënyrë të përgjithshme për të gjithë.


* Shkrim i dërguar nga autori

KOMENTE