English

Lëvizja Vetëvendosje akuzon KQZ: Rinumërimi i pjesërishëm legjitimon vjedhjen e votave

Prishtinë, 20 dhjetor, NOA- Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë se po legjitimon krimin dhe manipulimet e votave në komuna të ndryshme të Kosovës. Vetëvendosja e akuzoi KQAZ-në se në vend që të nisë një hetim mbi votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapërgatitura, KQZ-ja po e legjitimon krimin duke e bërë rinumërimin e pjesërishëm të kutive, shumë prej të cilave sipas kësaj lëvizjeje ishin të hapura dhe mund të mbusheshin lehtë edhe me fletëvotime jolegjitime gjatë bartjes së tyre përdrejt KQZ-së.

Vetëvendosja theksoi se sipas raportimeve të mediave të shtunën KQZ-ja ka filluar rinumërimin e votave në 40 përqind të vendvotimeve të shpërndara nëpër Kosovë. Rishtas Lëvizja Vetëvendosje i ka kontestuar rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, të cilat ishin jodemokratike dhe se rezultatet dolën mes një mashtrimi gjithëpërfshirës, sistematik dhe të organizuar.

“Ky vendim, si dhe vendimi që të mbahen ri-zgjedhje në vetëm 5 komuna të Kosovës ështe i pjesshëm, me qëllim që të mbulohen dhe legjitimohen manipulimet në pjesë të tjera të Kosovës”, argumentoi Lëvizja Vetëvendosje, duke i bërë thirrje sakaq KQZ-së, që të nisë hetimin e krimit që ka ndodhur më 12 dhjetor, në mënyrë që përgjegjësit të japin llogari.

“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që mos ta mbështesin këtë rinumërim të pjesërishëm dhe këtë "shplarje të votave", por të mbështesin kërkesat për hetim të pavarur dhe transparent të krimeve që u bënë gjatë këtyre zgjedhjeve”, përfundoi deklarata e lëvizjes Vetëvendosja.

mit/NOA
KOMENTE