English

Mblidhet opozita e bashkuar: Betejën do e vazhdojmë në parlament e sheshe

Tiranë, 20 dhjetor, NOA – Disa orë pas rrëzimit në Komisionin e Ligjeve të kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të shkuar, akt të cilin kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e cilësoi si një dëshmi se kryeministra Berisha nuk kërkon jo vetëm të zgjidhë krizën politike, por si një mënyrë për të vjedhur edhe zgjedhjet vendore të majit 2011, kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur në mbrëmje tryezën e opozitës së bashkuar për të vendosur lidhur me aksionin opozitar në vijim. Ndërkohë që mbledhja ka përfunduar, ishte Kordinatori i Opozitës së Bashkuar Preç Zogaj ai që zbardhi vendimet e tryezës duke deklaruar se pas refuzimit të zgjidhjes së ngërçit me transparencën e zgjedhjeve të shkuara tashmë opozita e bashkuar është më e vendosur se kurrë që ta shpalosë betejën e saj në parlament dhe në sheshe.

Zogaj tha se përfaqësuesit e opozitës së bashkuar janë të shqetësuar lidhur me refuzimin e sotëm nga mazhoranca për hetimin e zgjedhjeve, ku sipas opozitës, u hodhën poshtë edhe kryesimi i këtij komisioni hetimor nga opozita, edhe shumica e anëtarëve të tij po nga kjo forcë.

Zogaj siguroi se opozita e bashkuar është e vendosur t’i shkojë kërkesës për transparencë deri në fund, që don të thotë se protestat popullore për largimin e qeverisë do të bëhen më të ashpra se më parë.

“Do ta vazhdojmë betejën tonë për transparencë në parlament dhe sheshe. Do bashkohemi në protesta me popullin”, u prononcua koordinatori i Opozitës së bashkuar.

Më herët, kryetari i PS-së, Edi Rama akuzoi kryeministrin Berisha se ai refuzoi propozimin e PE-së dhe të opozitës për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve dhe garantuar transparencën dhe për të zgjidhur krizën politike që sot Saliu dëshmoi se nuk do ta zgjidhë”.

Duke perifrazuar deklaratat e kryeministrit dhe mazhorancës Rama theksoi se opozita nuk ka kërkuar kurrë rinumërim të fletëve të votimit, por vetëm hetim të materialeve zgjedhore, hetim i cili sipas Ramës u refuzua nga mazhoranca e cila bashkë me shumicën e anëtarëve në komisionin hetimor për zgjedhjet refuzoi edhe kryesimin e komisionit nga opozita.

Kjo deklaratë e Ramës erdhi pas deklaratës së kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, ku Berisha e cilësoi propozimin e Partisë Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor të Zgjedhjeve, si të pabazuar në ligj dhe të pacaktuar.

Sipas Berishës propozimi i Ramës për hetimin e zgjedhjeve, kërkonte që “Në 8 nga 9 nenet e kërkesës së propozuar nga opozita, të hetohej dyshimi, kur sipas kryeministrit nuk kishte asnjë provë, arsye për të cilën asnjë institucioni nuk i lejohet të hetojë dyshimet pa bërë publike më parë provat.

Duke theksuar se kryesocialisti Rama kërkon të bëjë biznes me votën e shqiptarëve, shefi i qeverisë i bëri thirrje opozitës të ndreqë kërkesën sipas kushtetutës, në mënyrë që ajo të miratohet edhe nga mazhoranca.

mit/NOA
KOMENTE