English

PS: Investimi i prindërve për fëmijët po shkon dëm, shkollat shqiptare janë të fundit në botë

Tiranë, 20 dhjetor, NOA – Partia Socialiste e ka cilësuar të të dështuar sistemin arsimor në vend. Duke ju referuar vlerësimit të PISA (Programme for International Student Assessment), i cili e rendit Shqipërinë për sa i përket performancës së nxënësve të moshës pesëmbëdhjetë vjeçare në shkenca, matematikë dhe lexim të fundit në Europë dhe të pestën nga fundi në botë, deputetja Shamku tha se arsimi ka dështuar për faj të qeverisë.

“Është dështim i Sali Berishës që sot, për turp, nxënësit shqiptarë renditen të fundit në Europë dhe në pesëshen e fundit në botë sa i takon dijeve në shkenca, matematikë dhe lexim. Ja ku është vlerësimi ndërkombëtar, që e rendit Shqipërinë për faqe të zezë, në fund të botës. Për faj të Sali Berishës!”, tha ajo.

Shamku u shpreh se ky nuk është një dështim i nxënësve shqiptarë, të cilët kanë treguar se i kanë aftësitë akademike e shkencore kur sistemi arsimor në të cilin studiojnë iu ofron atyre kushtet e nevojshme.

“Është dështimi i Sali Berishës që sot cilësia e mësimdhënies në shkollat shqiptare i la djemtë e vajzat tona të fundit në Ballkan, të fundit në Europë e madje edhe pas vendeve si Kazakistani e Tunizia”, tha Shamku.

Ajo u shpreh se për faj të kryeministrit familjet shqiptare çojnë dëm investimin për shkollimin e fëmijëve të tyre.

“E dini ç’do të thotë ky tregues? Që për faj të Sali Berishës, shkon dëm investimi i prindërve për t'i shkolluar fëmijët me shpresën për t’u siguruar një të ardhme më të mirë! Sepse më këtë arsim, fëmijët tanë në Europën e kombeve do të mund të ofrojnë veç krahun e punës”, tha Shamku.

Ajo e cilësoi renditjen si të turpshme dhe e dhimbshme.

“Në fund të listës do të thotë, që Sali Berisha, jo vetëm po çon dëm investimin e miliona prindërve, jo vetëm që po çon dëm mundin e mijëra arsimtarëve, por po hedh në erë edhe ëndrrën për zhvillim vetjak e kombëtar të gjithë shqiptarëve”, tha Shamku.

a.k/NOA

KOMENTE