Mes standardeve evropiane të jetës së shqiptarëve dhe oborrit të pushtetit të votave të vjedhura dhe të korrupsionit për të përmirësuar jetët e oborrtarëve, Saliu e ka bërë zgjedhjen e tij, ka zgjedhur këtë të dytën. Mes të ardhmes europiane dhe të shkuarës që vazhdon të na mbajë peng që të gjithëve si peng dhe si shoqëri, Sali Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij, ka zgjedhur të shkuarën
Nga Edi Rama
Sot kriza është thelluar. Për të gjitha ata që kanë ndjekur punimet e Komisionit të Ligjeve dhe për të gjithë ata që përmes medias do të njihen me ecurinë e këtyre punimeve është mëse e qartë se Saliu s’ka pranuar as ato që ka pranuar deri sot duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në rezolutën e Parlamentit Europian. Duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në opinionin e Komisionit Europian.
Duke refuzuar atë çka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në propozimin e opozitës për ti hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve, duke garantuar transparencën dhe zgjidhur një krizë politikë që sot Saliu ka dëshmuar se nuk do që ta zgjidhë. Ka refuzuar të zgjidhë krizën sepse synon të vjedhë prapë zgjedhjet.
Ka refuzuar të zgjidhë krizën me po atë kokëfortësi që refuzon opinionin e Komisionit Europian si një platformë për ndryshimin e domosdoshëm të rrugës së qeverisjes së vendit në funksion të integrimit europian.
Ka refuzuar të zgjidhë krizën duke u mbështetur mbi një tërësi argumentesh që s’janë argumente dhe shpifjesh e fyerjesh që nuk e ndihmojnë zgjidhjen e krizës e as nuk i bëjnë nder Shqipërisë për kryeministrin që ka. Sot Saliu ka provuar se i ka vjedhur zgjedhjet dhe se do që ti vjedhë ato përsëri. Ka provuar se pse Shqipëria ka mbetur pas dyerve të BE dhe ka treguar se kush e ka fajin për të gjitha ato shkaqe të mirërenditura në opinion e Komisionit Europian.
Mes standardeve europiane të jetës së shqiptarëve dhe oborrit të pushtetit të votave të vjedhura dhe të korrupsionit për të përmirësuar jetët e oborrtarëve, Saliu e ka bërë zgjedhjen e tij, ka zgjedhur këtë të dytën. Mes të ardhmes europiane dhe të shkuarës që vazhdon të na mbajë peng që të gjithëve si peng dhe si shoqëri, Sali Berisha e ka bërë zgjedhjen e tij, ka zgjedhur të shkuarën.
Sot në komision u refuzua gjithçka, madje edhe shumica dhe drejtimi i komisionit nga opozita, pa diskutim edhe hetimi i materialeve zgjedhore po e po dhe vënia në dispozicion e kutive të këtyre materialeve për një transparencë që me të njëjtën kushtetutë, në të njëjtën sallë një mandat më parë ishte e mundshme dhe sot nuk qenka e mundshme.
Po sot nuk është e mundshme sepse Saliu i ka vjedhur zgjedhjet dhe sepse transparenca do të nxirrte në pah vjedhjen e kryer në 28 qershor, por edhe do të pengonte që zgjedhjet të vidheshin përsëri në të njëjtën mënyrë. Transparenca do të nxirrte në dritën e diellit dhe do të zhbënte mekanizmin manipulimit që fshihet në kutitë e mbyllura të materialeve zgjedhore që Saliu nuk ka kurajën që ti hapë dhe ti shohë bashkë me shqiptarët.
Ndërkohë që përsëri sot vazhdon ti referohet të pavërtetave, shpifjeve të propaganduara sistematikisht si të vërteta duke akuzuar opozitën se paska dashur rinumërim.
Asnjëherë nuk kemi dashur rinumërim. Kur kemi folur për fletë votimi kemi folur për hetim të numërimit, lidhur me materialet zgjedhore fillimisht dhe kur kemi ofruar zgjidhjen duke lënë mënjanë fletët e votimit, kemi kërkuar hapjen e kutive të materialeve zgjedhore konform rezolutës së PE, për një kompromis që i vlen Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Për një kompromis që i hap rrugë gjithsesi transparencës, për një kompromis që garanton zgjedhjet e ardhshme.
Ka ende disa ditë kohë dhe të enjten Kuvendi diskuton këtë çështje bashkë me mocionin për debat, të kërkuar prej nesh, për ti dhënë një mundësi të re Shqipërisë në rrugës e integrimit, duke adresuar “mot a mot” të gjitha ato që çështje që në opinionin e KE trajtohen si probleme që kanë penguar hapjen e dyerve të BE për Shqipërinë.
Ka ende disa ditë, sigurisht kur nuk ka ndryshuar në 20 vjet mbase nuk mund të ndryshojë për disa ditë Saliu, por ne jemi të detyruar të vazhdojmë të kërkojmë rrugën e arsyes për të ardhmen e vendit, për të mirën e të gjithë shqiptarëve, për domosdoshmërinë e një procesi politik që duhet medoemos t’ju shërbejë njerëzve e jo atyre që sundojnë duke mos i lënë njerëzit të zgjedhin.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulin për domosdoshmërinë e transparencës së zgjedhjeve nga njëra anë dhe të adresimit të gjitha atyre problemeve që i bëjnë mirë Shqipërisë.
Ndërkohë që Saliu mund të vazhdojë të kërkojë mbylljen e rrugëve të transparencës dhe mos adresimin e atyre problemeve që në fakt që janë burim shqetësimi për BE, janë burim problemesh për shqiptarët, por që në fakt janë burim fitimi për oborrin e pushtetit të votave të vjedhura.
Këto janë dy kahje, dy rrugë, dy qasje krejt të ndryshme ndaj politikës, ndaj interesave të vendit dhe interesave të njerëzve.
Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Ne jemi në krah të njerëzve. Ne jemi në shërbim të interesave të vendit, ne jemi në ndjekje të ëndrrës së Shqipërisë si gjithë Europa.
Duam ta ndërtojmë Europën këtu dhe duam që Shqipëria të ulet në tryezën e familjes europiane siç ulen qytetarët shqiptarët si individë në tryezën e familjeve të tyre në emigracion.
Saliu i ka lënë në baltë shqiptarët, ka lënë në baltë Shqipërinë, ka dështuar dhe mban fajin e madh qoftë për transparencën e zgjedhjeve, qoftë për mbylljen e kutive, qoftë për mbylljen e derës së BE dhe refuzimin dramatike të Shqipërisë në kërkesën për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave dhe akoma më keq, qoftë edhe përreth mungesën dramatike të refuzimit.
Shpif shpif se diçka do të mbetet, shaj shaj se diku do ngecesh, nuk është vizion, nuk është filozofi për të qeverisur Shqipërinë, nuk është model për të udhëhequr shqiptarët.
Është thjesht shprehja e dëshpërimit të një njeriu që pikërisht se ka dështuar kërkon të mbulojë të pambulueshmen, dështimin e tij me procesin demokratik, dështimin e tij me ekonominë e vendit, me drejtësinë si garante e të gjithë qytetarëve, duke e përbaltur opozitën çdo ditë e më shumë.
Në fakt nuk është balta që i hidhet përditë opozitës, ajo që mund të mbulojë baltën që zhyten përditë Shqipëria e shqiptarët për fajin e Sali Berishës.