Tiranë, 20 dhjetor, NOA – Ashtu sikundër edhe më herët qeveria turke iu përgjigj menjëherë emergjencës civile në Shkodër duke dërguar helikopterë transport-shpëtimi për banorët dhe ndihma në medikamente e veshmbathje, sot në ndihmë të banorëve të Shkodrës janë vënë edhe Shoqatat turke. Shoqata Bamirëse Turke “Kimse Yok Mu”, në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshëm të Kolegjeve Turke, Noman Gulen dhe Shoqatën “Qendra Kulturore Horizontet e Reja” kanë dërguar ndihma në ushqime dhe veshmbathje me vlerë 443 282 euro, në ndihmë të banorëve dhe familjeve të dëmtuara nga përmbytjet.
Ndihma u bë publike gjatë takimit që pati sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta me Drejtorin e Emergjencave të Shoqatës Bamirëse Turke “Kimse Yok Mu” Atif Ulusoy dhe Ümit Akaybicen zv/kryetar i Shoqatës “Qendra Kulturore Horizontet e Reja” e themeluar nga maturantë të kolegjeve turke.
Ndihma përfshin tre kamionë me ushqime, veshmbathje dhe mjete elektro-shtëpiake, të cilat i janë dorëzuar drejtorisë së rezervave në Shkodër, për t`ju gjendur pranë familjeve të përmbytura në Qarkun e Shkodrës.
Po kështu mësohet se Shoqata “Kimse Yok Mu” ka dërguar tre mjekë vullnetarë mjekë, të cilët kanë vizituar dhe mjekuar fëmijë në lagjen Bahçallëk të Shkodrës.
Zëvendëskryeministri Meta falenderoi dy përfaqësuesit e shoqatave turke për kontributin që shoqëria civile turke dhe Kolegjet turke në Shqipëri ka dhënë në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet e fillim dhjetorit në veri të vendit.
Meta e cilësoi ndihmën si shumë të çmuar për qeverinë shqiptare dhe për banorët që vuajnë pasojat e fatkeqësisë natyrore.
Nga ana e tij, Drejtori i Emergjencave të Shoqatës bamirëse turke “Kimse Yok Mu” Atif Ulusoy siguroi se ndihmat për banorët e katastrofës së përmbytjeve do të vazhdojnë, me qëllim që të zbuten sadopak pasojat e fatkeqësisë që i pllakosi.
Kolegjet Turke në Shqipëri janë angazhuar për sensibilizimin e shoqërisë turke në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga përmbytjet si pasojë e reshjeve masive, ndërkohë që edhe mësuesit dhe nxënësit e këtyre institucioneve kanë kontribuar me ndihma, sipas mundësive.
mit/NOA