English

“Shtëpia e Verdhë”, fantazia e Del Pontes që po shkatërron një familje

Familja Katuçi jeton në këtë shtëpi prej vitit 1964. Kjo banesë është ajo që në librin e ish –prokurores së Hagës, Karla del Pontes dhe në raportin e deputetit zviceran, Dik Marti,është quajtur si “Shtëpia e Verdhë” , si vendi që u përdor për trafik organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nëse këtu, në vitin 1999, do të kishte patur serbë që u hiqeshin organet, Abdulla Katuçi, Hatixhja e Mersimi, që nuk e kanë braktisur asnjëherë këtë shtëpi për të jetuar gjetkë, së paku do ta dinin.

E nëse do të kishin dijeni, do të thotë se kanë bashkëpunuar në një prej historive më të tmerrshme që flitet se ka ndodhur gjatë konfliktit të Kosovës, të paktën duke fshehur provat.

Pra, këta banorë të fshatit Ribë, në Gurrë të Vogël të Matit, do të ishin bashkëpunëtorë në krime lufte e do të duhej të ishin në Hagë, bashkë me Sllobodan Millosheviçin, Karaxhicin apo Sheshelin.

Një histori e tillë i kalon kufinjtë e imagjinatës. Megjithatë ka mjaftuar për t’ia trazuar jetën e kësaj familjeje që jeton me të tjera halle, në këtë shtëpi gati në të rrënuar.

Sot, ende nuk ka asnjë provë nga këto hetime. Por ka pasoja të tjera për familjen Katuçi.Pas Karla Del Pontes, një tjetër zviceran do t’ua lëngonte plagën e hapur në vitin 2004. Dick Marti do të kërkonte prova afro 1 dekadë pas kohës për të cilën thuhet se ka ndodhur ngjarja.

Madje, sipas Mersim Katuçit, - i cituar nga Tv Klan, - ish –prokurori nga Zvicra i kishte sjellë vetë ato që mund t’i përdorte ai si prova për të realizuar qëllime të tij.

Pjesëtarët e kësaj familje matjane, nuk e kuptojnë se ç’lojë po luhet me fatin e tyre dhe përse gjenden të përfshirë në histori që as i kishin dëgjuar ndonjëherë. Duan të dinë të vërtetën dhe se ç’fshihet pas këtyre akuzave që i quajnë fantazi. Fantazi e një ish –prokurorje që në fakt po ua shkatërron jetën.

A është kryer vërtetë heqje organesh në Gurrë e Vogël në rrethin e Matit? Kjo hipotezë e frikshme, edhe pse po mban të gjallë debatin në qarqet politike e diplomatike në vend dhe më gjerë, gjithnjë e më shumë po ngre pikëpyetje, në vend që të japë përgjigje.

Të paktën në terren një gjë është krejtësisht e qartë, familja Katuçi, shtëpia e të cilëve po lakohet kaq shumë, minimalisht është e fyer nga mënyra se si po trajtohet rasti.Ndërkohë, që kërkojnë ndërhyrjen energjike të organe shtetërore në Tiranë, jo vetëm për të sqaruar opinionin e brendshëm për pafajësinë e tyre, por edhe për të ndëshkuar ligjërisht personat dhe institucionet e huaja që po abuzojnë me jetën e tyre.

Emocionet e anëtarëve të familjes Katuçi janë të kuptueshme, aq më tepër kur mendon gjendjen e tyre ekonomike, vendin ku ndodhet fshati Gurrë e Madhe në rrethin e Matit.

Dhe pyetja më pa përgjigje sot e 11 vjet është: përse UÇK do të zgjidhte pikërisht këtë vend të harruar për të kryer këtë krim monstruoz, duke patur parasysh gjendjen e infrastrukturës rrugore shqiptare në vitin 1999? Gjithnjë në rast se e ka kryer atë!

KOMENTE