English

Akuzat e Martyt, SHBA e pandikuar: Mbrojmë Kosovën në aspiratat e saj demokratike dhe integruese

Prishtinë, 21 dhjetor, NOA – Mbetet e fortë dhe e pacënuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës edhe pas publikimit të akuzave të rënda për trafikim organesh dhe armësh nga krerët e UÇK-së, akuza që godasin edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo deklaratë mbështetëse për Kosovën erdhi sot nga zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Michael Murphy, i cili theksoi se Uashingtoni do të çojë përpara projektet për konsolidimin e demokracisë nëe Kosovën e pavarur dhe multietnike dhe integrimin e saj në NATO e në BE.

Zëvendësdiplomati amerikan në Prishtinë thekson se “Raportet tona me autoritetet në Kosovë janë të forta ashtu siç kanë qenë që në krye të herës dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen. Ne kemi objektiva të njëjta për Kosovën, për një Kosovë demokratike e multietnike të integruar në familjen e kombeve euro-atlantike, objektiva që i ka edhe qeveria e qytetarët kosovarë. Kjo nuk ka ndryshuar”, tha Murphy.

Edhe pse akuzat për trafik organesh kanë cenuar disi imazhin e shtetit të ri të Kosovës, e cila është edhe në pritje të nisjes së bisedimeve teknike me Serbinë në fillim të vitit 2011, diplomati amerikan Murphy nënvizoi se akuzat për trafik e transplanto organesh të artikuluara nga raporteri Dick Marty kundër kryeministrit Hashim Thaçi nuk kanë ndikuar tek raportet e shtetit më të ri me amerikanët. Në këtë kontekst ai shprehet i kënaqur që kryeministri i akuzuar Thaçi dhe qeveria e Kosovës janë të hapur për nisjen dhe zbardhjen e akuzave përmes një hetimi ndërkombëtar.

Murphy inkurajoi edhe eurodeputetin Dick Marty t’i paraqesë të gjitha faktet që ka pranë organeve kompetente të EULEK-it e më gjerë.

“Më erdhi mirë që dëgjova kryeministrin Thaçi të thotë se qeveria e tij dhe kosovarët janë të hapur të bashkëpunojnë në këto hetime”, tha diplomati amerikan në Prishtinë.

Edhe liberalët serbë, të cilët janë partnerët aktualë të qeverisë së Kosovës, dhe të cilët pritet të hyjnë në koalicion qeverisës me fituesin e zgjedhjeve parlamentare kryeministrin Thaçi, pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve, nuk janë ndikuar nga akuzat për trafik organesh të ish robërve serbë në përfundim të konfliktit në Kosovë.

Vetë kreu i liberalëve serbë, SLS, Nenad Rashiq ka komentuar se nuk ka parë asnjë dëshmi që të vërtetojë akuzat në raportin e Dick Martyt.

mit/NOA

KOMENTE