Tiranë, 21 dhjetor, NOA – Pak ditë pas hyrjes në fuqi të lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen të BE-së, ku të drejtën për të kaluar lirshëm kufirin shqiptar drejt BE-së pa patur nevojë për një vizë e kanë vetëm shtetasit e pajisur me pasaportë biometrike, Kompania Aleat ka nisur sot shërbimin e prodhimit të përshpejtuar të pasaportave biometrike edhe pranë Njësive Bashkiake 5 dhe 6 në kryeqytet. Qytetarët të cilët kanë nevojë për një pasaportë biometrike do të mund ta marrin atë brenda dy tri ditësh pasaportën e re biometrike, kundrejt tarifës prej 15 mijë lekësh.
Ky shërbim u testua më herët në Tirane në njësinë minibashkiake nr.10, pastaj edhe në njësitë e tjera nëpër rrethe.
Aplikimet për dokumentin dixhital, pra pasaportën biometrike janë kushti themelor për të lëvizur pa vizë në vendet e zonës Shengen.
Aplikimi për pajisjen me pasaportë biometrike nisi në 12 janar të vitit të shkuar.
Deri më tani nga nisja e shpërndarjes së pasaportës së parë biometrike, me dokumentin e ri dixhital, sipas burimeve zyrtare janë pajisur mbi 1 milionë shqiptarë.
mit/NOA