Tiranë, 21 dhjetor, NOA – Heqja e vizave, është një akt për të cilin kryeministri Berisha dje ka marrë një letër të posaçme urimi nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe zv/sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Gordon.
Sipas tyre, ky përbën një akt moment historik për popullin shqiptar dhe njohje e shumë përpjekjeve te bëra nga qeveria shqiptare dhe pasqyron aspiratat e qytetareve shqiptare, të cilët e kanë dëshiruar për një kohë të gjatë arritjen e këtij moment historik.
Sipas kancelares Merkel, ky vendim, jo vetëm që do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe kontaktet ndërpersonale midis qytetareve të Evropës.
Kurse përfaqësuesi i lartë amerikan ka shkruar në letrën e tij për Berishën se ky hap i rëndësishëm përforcon progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Heqja e kërkesës për viza për udhëtime në zonën Shengen është me të vërtetë moment historik për popullin shqiptar. Ky vendim jo vetëm që do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe kontaktet ndërpersonale midis qytetareve të Evropës. Shqipëria tashme ka arritur këtë objektiv të rëndësishëm për qytetarët e saj. Unë jam e kënaqur për sigurimet tuaja se qeveria shqiptare po punon për parandalimin dhe mënjanimin e abuzimeve te mundshme me liberalizimin e vizav”, ka shkruar Merkel.
Kurse Gordon është shprehur se të gjithë mbështesin fuqimisht integrimin e plotë të Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik.
n.e/NOA