Tiranë, 21 dhjetor, NOA - Komiteti i Modernizimit të Qeverisë (KMQ), autoriteti më i lartë i politikave, koordinimit dhe vendimmarrjes së Qeverisë, u takua sot me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për të diskutuar drejtimin strategjik dhe fushat e mbështetjes së OKB-së për periudhën 2012-2016, i cili do të firmoset në tetorin e vitit të ardhshëm dhe do të përfshijë mbështetjen e OKB-së në qeverisje, modernizimin e administratës publike, ekonominë dhe mjedisin, zhvillimin rajonal dhe vendor si dhe politikat sociale gjithpërfshirëse. Sipas organizatorëve mbledhja i shërbeu analizës së kontributit të OKB-së ndaj axhendës kombëtare të zhvillimit.
Gjatë aktivitetit ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëherësh kryetar i KMQ-së, Genc Pollo theksoi në fjalën e tij se arritjet kryesore dhe mësimet e nxjerra nga Programi ekzistues “Një OKB”, që prej zanafillës së tij më 2007 janë një sukses pa kthim prapa për Shqipërinë.
“Qeveria e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar për vijueshmërinë dhe thellimin e mëtejshëm të reformës së OKB-së si në nivel vendi, edhe në nivel global. Arritja më e rëndësishme është se prioritetet e programit ‘Një OKB’ janë tërësisht në linjë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013, si edhe me strategjitë sektoriale dhe ndërsektoriale. Programi ka kontribuar dhe ka mbështetur përpjekjet e Qeverisë në përgjigje të kërkesave për anëtarësim në BE, duke reflektuar faktin se ne jemi i vetmi vend pilot në procesin e integrimit Evropian”, tha ministri Pollo.
Pollo tha se qeveria shqiptare e vlerëson vizionin e ri dhe ndryshimet e konsiderueshme që solli Programi “Një OKB” nëpërmjet qasjes së “Të Katërve”: Një Drejtues, Një Program, Një Buxhet dhe Një Zë, që kontribuan në përmirësimin e mëtejshëm të planifikimit strategjik dhe koordinimit të ndihmës së huaj, në përputhje me Deklaratën e Parisit dhe Programin për Veprim të Accras.
Mësohet se gjatë procesit të konsultimit për formulimin e Programit të ardhshëm të Bashkëpunimit OKB – Qeveria e Shqipërisë 2012 - 2016, i cili do të aprovohet nga Qeveria në 2011-ën, anëtarët e KMQ-së mirëpritën vendimin e OKB-së për të vijuar me përgatitjen e një dokumenti për t’u nënshkruar me Qeverinë e Shqipërisë, duke zëvendësuar marrëvëshje specifike midis agjencive të ndryshme të OKB-së.
Sipas ministrit Pollo ky është një hap i rëndësishëm në thellimin e reformës së OKB-së në nivel vendi.
Ndërsa, zonja Zineb Touimi-Benjelloun, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, në fjalën e saj paraqiti fushat e mbështetjes së OKB-së dhe rezultatet e pritshme për Programin 2012-2016, si produkt i konsultimeve të gjera me një numër të madh partnerësh kombëtarë e ndërkombëtarë, duke përfshirë anëtarët e KMQ-së.
Zonja Zineb Touimi-Benjelloun falënderoi komunitetin e donatorëve, të cilët kanë mbështetur programin ekzistues dhe i bëri thirrje thirrje atyre për vazhdimësinë e këtij partneriteti nën Programin e Bashkëpunimit të OKB me Qeveria e Shqipërisë, në vitet 2012-2016, që do të nënshkruhet në muajin tetor të vitit 2011.
mit/NOA