Tiranë, 21 dhjetor, NOA - Sipërmarrësit dhe qytetarët e kryeqytetit, tashmë taksat e tyre ndaj Bashkisë së Tiranës do t’i paguajnë në një qendër të vetme të standardeve evropiane, e quajtur “Qendra e Zhvillimit të Biznesit në kryeqytet”, e cila është ngritur pranë ish-uzinës mekanike në kryeqytet. Gjatë përshëndetjes së tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama e ka cilësuar këtë qendër tërësisht evropiane si pjesë e kontributit të qytetarëve të kryeqytetit dhe detyrimeve të biznesit, ku sipas tij janë të gjithë të mirëpritur dhe mikpritur për të paguar atë që i detyrohen jetesës në Tiranë.
Në ambientet e reja të Qendrës së Zhvillimit të Biznesit në kryeqytet, përfshihen Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, por edhe shumë struktura të tjera në shërbim të qytetarëve, si Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin Urban apo Shërbimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, të cilat tashmë do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte cilësore të pritjes dhe shërbimit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama gjatë vizitës së tij në mjediset e qendrës shprehu mirënjohjen ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve të Tiranës, me kontributet e të cilëve kanë bërë që Tirana të jetë sot më e pastër e më e gjelbëruar.
“Një ambicje e bërë realitet, një hapësirë tërësisht europiane, me kushte njësoj si në Europë, për të mirëpritur dhe mikëpritur të gjithë ata që paguajnë detyrime si sipërmarrës në Tiranë, të cilëve u jemi mirënjohës për të gjithë kontributet e tyre, sepse është falë taksave dhe detyrimeve të tjera të çdo qytetari, që kjo Tiranë ndryshon dhe zbukurohet dita ditës dhe në radhë të parë, është falë kontributit të sipërmarrësve, të të gjithëve pa përjashtim, por të atyre të vegjël, në mënyrë të veçantë, të cilët më në fund, pas vitesh përpjkekjesh, pas realizimit të këtij projekti shumë ambicioz, ne mund t’u ofrojmë kushtet më të mira të pritjes dhe shërbimit, ndërkohë që përfitoj nga rasti t’i falenderoj nga zemra, për gjithë sa kanë bërë çdo vit dhe t’u them se ajo që është sot Tirana, është në fakt frut i kontributit të tyre, kontribute të cilat ne kemi ditur dhe do të dijmë t’i administrojmë ashtu siç duhet, për një Tiranë të pastër, një Tiranë më të gjelbër, për një Tiranë akoma më evropiane, u shpreh gjatë prononcimit të tij Kryebashkiaku Rama.
Në këtë qendër të zhvillimit të biznesit janë krijuar 7 sportele të regjistrimit dhe asistencës, të cilët kanë për qëllim shërbimin fillestar ndaj subjekteve taksapagues.
Në këto sportele, subjektet që paraqiten për regjistrimin fillestar kanë mundësi të marrin informacion të detajuar, në lidhje me dokumentacionin që duhet te paraqesin, me qëllim regjistrimin e biznesit, pasurisë si dhe dhe asistencën e nevojshme, në lidhje me detyrimet fiskale.
Gjithashtu, janë në dispozicion edhe 2 sportele të tjera, ku taksapaguesit mund të marrin informacion të plotë lidhur me vlerën e detyrimit, vlerësimin tatimor, kopje të njoftimeve dhe procedurën e mbledhjes së detyrimeve tatimore.
Janë vendosur aktualisht 3 sportele të QKR-së në kuadrin e realizimit të të ashtuquajturit “one stop shop”, me synimin e kryerjes së të gjitha procedurave pranë një vendi të vetëm, duke shmangur humbjet e kohës nga një zyrë në tjetrën.
Ndërkohë Bashkia e Tiranës informon se së shpejti pritet krijimi i sporteleve të QKL-së (Qendra Kombëtare e Liçencimit) dhe DKTU (Drejtoria e Kontrollit të Territorit Urban), ku do të ezaurohen të gjitha praktikat që kanë lidhje me liçencat/lejet e trasportit/taksi si dhe lejet e tjera.
Mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore po implementon një projekt, me qëllim që të gjithë tatimpaguesit e Bashkisë së Tiranës, të kenë mundësinë të shkarkojnë on - line detyrimet tatimore të vitit ushtrimor 2011, një projekt që do të bëhet i mundur në muajin Janar 2011, me qëllim që të eleminojë të gjithë burokracitë që hasin tatimpaguesit për marrjen e njoftim Detyrimit Tatimor.
Njëkohësisht, në këtë projekt do të përfshihet edhe e drejta e tatimpaguesve, për t’u paraqitur ankesë-kërkesa me postë elektronike, në një adresë të përcaktuar në faqen e Internetit të DPTTV.
mit/NOA