Shkodër, 21 dhjetor, NOA – Pavarësisht tërheqjes së ujit në një pjesë të zonave të përmbytura në Shkodër situata paraqitet problematike në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve rrugore që lidhin komunat me qendrën.
Sipas informacioneve më të fundit të Shtabit të Emergjencës situata paraqitet si më poshtë;
Rruga e Shirokës në të gjithë gjatësinë e saj kalohet nga mjetet e mëdha dhe të mesme. Kalojnë me vështirësi automjetet e vogla, pasi nga përmbytjet rruga ka pësuar një dëmtim në vendin e quajtur Peshkimi.
Rrugët nacionale dhe rrugët lidhëse me komunat :
Aksi rrugor Shkodër – Tiranë, tek Harku i Berdicës është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve.
Rruga Shkodër për në Komunën Ana e Malit dhe PKK Muriqan kalohet nga të gjitha llojet e automjeteve.
Aksi rrugor Shkodër – Bërdicë, tek Harku i Berdices është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve.
Aksi rrugor Shkodër – Velipojë Kalohet vetëm nga Bishti Jukës me të gjitha llojet e mjeteve.
Rruga për në Komunën Dajç kalohet me mjete të larta.
Aksi rrugor Shkodër – Kir – Mali i Shoshit – Komuna Shalë, lëvizja kryhet me vështirësi nga mjete të mesme dhe të larta.
Aksi rrugor Bogë – Theth është i pa kalueshme, (në Qafë Thorë ka rreth 2 m borë).
Aksi rrugor Breg Lumi – Theth vazhdon të jetë i bllokuar si pasojë e shembjes së rrugës, pasi lumi ka marrë me vete një pjesë të rrugës duke e bërë atë të pa kalueshme.
Në rrethin Malësi e Madhe:
Aksi rrugor Shkodër - Kelmend ka probleme të pjesshme si rezultat i rrëshqitjeve masive të dheut nga shiu i rrëmbyeshëm.
Në rrethin Pukë:
Aksi rrugor Puke - Shkodër është i ngrire në pjesën me të madhe të gjatësisë së tij dhe mund të kalohet vetëm me Zinxhir.
a.k/NOA