English

Shoqata për Bashkëpunim Rajonal: Marty të hetojë krimet serbe

Shkup, 21 dhjetor, NOA - Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrimin Evropiane (OBRIE), me seli në Maqedoni, reagon ashpër ndaj raportit të Dick Martyt, raportues në Këshillin e Evropës.

“Propozim-raporti për Kosovën i përgatitur nga raportuesi i Këshillit të Evropës, deputeti zviceran, Dick Marty, është skandaloz, i njëanshëm dhe i pabazë. Ky raport dëmton rëndë marrëdhëniet dhe raportet mes vendeve të Ballkanit duke rrezikuar kështu paqen dhe stabilitetin në këtë rajon”, thuhet në reagimin e OBRIE.

Kjo organizatë sugjeron Martyn që të hetojë krimet serbe, afër 300 mijë të vrarë e masakruar në Bosnjë Hercegovinë, afër 15 mijë të vrarë mizorisht në Kosovë, 800 mijë të dëbuar dhe terrorizuar dhunshëm nga trojet e tyre, shtëpi të djegura etj.

OBRIE gjithashtu sugjeron Martyn të hetojë varret masive të shkaktuara nga Serbia, gjatë luftërave të përgjakshme të viteve të 90-ta në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe vende tjera të rajonit.

“Është turp për Evropën dhe institucionet e saj të heshtë për krimet monstruoze serbe, ndërsa të akuzojë viktimat e luftës, njerëzit të cilët luftuan për lirinë e popullit të vet. Raportet si ky i Martyt, rrezikojnë të humbin kredibilitetin e institucioneve më relevante të Evropës, si dhe të shkelin parimet e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë”, thuhet në reagim.

Sipas OBRIE, shqiptarët sot, në kushte normale, e kanë të vështirë të kryejnë operacione të tilla për transplantim organesh, e lëre më në vitet e 90-ta, në gjendje lufte e të jashtëzakonshme.

NOA/INA

KOMENTE