Indi, 21 dhjetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ndodhet në Indi për një vizitë dyditore me ftesë të homologes së saj, Meira Kumar. Kjo është vizita e parë e një Kryetari të Parlamentit shqiptar në Indi dhe vizita e parë e një niveli kaq të lartë në këtë vend.
Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Kuvendit në qendër të takimeve do të jenë intensifikimi i marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve, ngritja e Grupeve të Miqësisë, si ura lidhëse dhe lobuese për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.
Marrëdhëniet tradicionale me Indinë mbështeten edhe nën emrin e humanistes shqiptare, Nënë tereza, e cila jetën e saj në shërbim të njerëzimit e ushtroi kryesisht në në Kalkuta të Indisë, nga ku mori edhe emrin Nënë Tereza e Kalkutës.
Sikundër bën të ditur zyra e shtypit e Kuvendit edhe vepra e Nënë Terezës apo ideja e rikthimit të eshtrave të saj e hedhur para disa muajsh nga shteti shqiptar do të jenë pjesë e bisedimeve midis delegacioneve zyrtare.
mit/NOA