Babai 60-vjeçar shpesh ishte i dehur dhe kishte kohë që e rrihte sistematikisht të bijën. Sot, e qortoi dhe e rrahu pse nuk kishte shkuar dy dit në shkollë dhe këtu nisi sulmi me thikë nga e mitura
Fier, 21 Dhjetor 2010 NOA – Një burrë në moshë të thyer është masakruar dhe po lufton me vdekjen në spital, kurse vajza e tij e mitur u arrestua nga policia në kushtet e flagrancës, si e vetmja e dyshuar e krimit.
Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se ngjarja ndodhi sot rreth orës 15.00, ne vendin e quajtur lagjja “8 Shkurti” ne Fier ku është plagosur me mjete mprehëse 60-vjeçari L.Bushi, banues në këtë qytet.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se Bushi është goditur disa here me thikë për motive te dobëta nga vajza 14-vjeçare e tij, Xh.Bushi.
Hetimet paraprake nxjerrin si shkak të ngjarjes, konfliktin e lindur mes atë e bir për ndjekjen e mësimit në shkollë. Babai e qortonte të bijën që të shkonte rregullisht në shkollë, por duket se ajo nuk e kishte qejf.
Dy ditët e fundit, dje dhe sot, vajza sërish nuk kishte shkuar në shkollë, kurse i ati, duke mos ia kursyer vetes pijet alkoolike, nuk hezitoi ta qortonte dhe ta rrihte të bijën, ku sebepi ishte i artë, i mosshkuarjes në shkollë.
I dëmtuari iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale pranë Spitalit Rajonal të rrethit Fier dhe gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë.
E mitura ndërkohë ndodhet e shoqëruar në drejtorinë policore. Ajo është vajza më e vogël e çiftit Bushi dhe jetonin të tre, pasi dy fëmijët e tjerë janë të martuar dhe jetojnë në banesa të tjera.
Nga ana e shërbimeve te Policisë vazhdojnë veprimet procedurale për dokumentimin e plote ligjor te kësaj ngjarjeje.
Nga hetimet e kryera sonte në mbrëmje, bëhet e ditur se shpesh, babai e dhunonte të bijën fizikisht duke e rrahur, në kushtet e konsumit deri në dehje të pijeve alkoolike.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier tha se materialet e përpiluara do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Vlorë, Seksionit për të Mitur.
e.r/NOA