Prishtinë, 21 dhjetor, NOA - Koleksioneve të çmimeve që ka marrë deri tani filmi kosovar “Vdekja nga ngufatja” i është shtuar edhe një tjetër. Rrëfimi i një të riu shqiptar, cili emigron ilegalisht në Gjermani në kërkim të një jete më të mirë, është kurorëzuar me çmimin special të jurisë në edicionin e 33-të të festivalit të filmit shkollor “Recontres Henri Langlois”.
Filmi me regji dhe skenar të Visar Morinës është shpërblyer në festivalin që mbahet në kryeqytetin francez e që këtë vit ka grumbulluar mbi tridhjetë regjisorë nga 22 vende të ndryshme të botës.
Filmi tridhjetë minutash, protagonistë të së cilit janë aktorët nga Kosova, Astrit Kabashi dhe Gresa Pallaska, së fundi është emëruar filmi më mirë i shkurtër ndërkombëtar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë.
Regjisori i “Vdekja nga ngufatja”, Visar Morina, ka shpjeguar se projekti i tij filmik gjatë muajit dhjetor është shpërblyer me tri çmime.
“Përveç çmimit në Paris dhe Tiranë, kemi marrë edhe çmimin special të jurisë në “Skena UP” dhe më vjen shumë mirë pasi ky fakt është lloj mirënjohjeje për punën time”, ka thënë Morina.
Ai ka shtuar se çmimet që ka marrë deri tani me filmin “Vdekja nga ngufatja” dhe pjesën më të madhe të suksesit ua ka adresuar aktorëve. “Në këtë fazë që jam unë është e rëndësishme që të gjej sa më shumë dyer të hapura me projektet e mia. Kështu që çmimet ma lehtësojnë këtë punë”, ka thënë Morina. “Po ashtu meritat u shkojnë edhe aktorëve në rolet kryesore të cilët janë fenomenalë”, ka shtuar ai.
a.k/NOA