English

BE nuk trajton problematikën e shqiptarëve pa nënshtetësi

Shkup, 22 dhjetor, NOA - Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup deri tani nuk ka komentuar problematikën e mijëra shqiptarëve pa nënshtetësinë e Maqedonisë.

Organizatat joqeveritare shqiptare dhe partitë politike së fundi kanë nxjerrë rreth 50 mijë shqiptarë në Maqedoni që akoma nuk janë të pajisur me nënshtetësi, edhe pse ata plotësojnë kushtet që parashihen edhe me standardet evropiane për t`u pajisur automatikisht me të drejtën e shtetësisë së këtij vendi.

Edhe përkundër këtyre shqetësimeve, Bashkimi Evropian (BE) ka anashkaluar trajtimin e kësaj problematike. A.M, 45 vjeç nga Tetova, i cili ballafaqohet me mospasjen e shtetësisë apelon që zyra e BE-së në Shkup të merret me problematikën e tij dhe të mijëra shqiptarëve të tjerë.

“Unë disa raste kam tentuar për të sqaruar problematikën time pranë zyrës së BE-së, por që në hapin e parë më është thënë që të shkojë pranë institucioneve përgjegjëse vendore, gjegjësisht MPB-së. Andaj s`kam më rrugëdalje tjetër, përveç të bëjë një apel publik dhe të merren me këtë problem, sepse nuk mundet që një vend të plotësojë standardet e BE-së, kur shkelë parimet dhe liritë themelore të qytetarit”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, qytetari A.M, i cili nuk dëshiron të zbulojë identitetin e tij për shkak të rrezikimit të mëtutjeshëm për t`u refuzuar totalisht për të drejtën e nënshtetësisë.

Me këtë problem ballafaqohen mijëra shqiptarë të cilët janë të lindur në Maqedoni dhe jetojnë me dekada të tëra, të cilët edhe përkundër vendqëndrimit të dëshmuar dhe pronësisë e pasurisë në vendin e lindjes, megjithatë refuzohen nga Ministria e Brendshme.

Kjo kategori e qytetarëve përbëhet kryesisht nga shqiptarë që për mbi 50 vite e më tepër jetojnë në Maqedoni, por që kanë origjinë nga zonat e tjera shqiptare nga Kosova, Lugina e Preshevës apo ish-republikat e tjera jugosllave.

Ky shqetësim vjen pas vendimit të publikuar të Qeverisë për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë nga 1 prilli e deri më 15 prill të vitit 2011, me ç`rast Ligji për regjistrimin e popullsisë nuk ka të definuar këtë kategori të qytetarëve, të cilët në fjalorin juridik ndërkombëtar njihen si "apatrid" apo qytetarë pa shtetësi.

E drejta e shtetësisë nuk u njihet edhe shumë emigrantëve shqiptarë të cilët pas periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe në fillimet e pavarësimit të Maqedonisë janë gjetur jashtë vendit.

NOA-INA

KOMENTE