Tiranë, 22 Dhjetor, NOA – Raporti i Dik Martit për akuzat mbi trafikun e organeve nuk ka asnjë bazë reale dhe duket se është tendencioz, po të marrim parasysh se ai ka qenë edhe kundër pavarësisë së Kosovës.
I tillë ka qenë reagimi i kryeministrit Berisha sot në mbledhjen e qeverisë, lidhur me këtë çështje, duke shtuar se Shqipëria nuk ka asgjë për të fshehur. “Kushdo që mund të ketë kryer krime lufte, kemi qenë përherë të vendosur dhe të qëndrimit, se duhet të paraqitet para drejtësisë”, tha ai.
Sipas tij, të ngresh një fushatë të tillë nuk është aspak normale dhe se shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për akuza edhe më të rënda.
“Por e gjitha kjo i përket së shkuarës. Me këto gjëra do të merret drejtësia, por gjithsesi, i bëj thirrje EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, të cilat pavarësisht se e kanë hetuar atë, e sjellë përsëri në arenën e Këshillit të Evropës dhe atë ndërkombëtare, gjykoj se meriton një rishqyrtim dhe transparencë të plotë e pastaj, secili merr përgjegjësitë e veta”, përfundoi Berisha lidhur me këtë çështje.
n.e/NOA