Tiranë, 22 Dhjetor 2010 NOA - Ashtu siç është traditë, Kryebashkiaku Edi Rama ka gjetur rastin në këtë fundvit, të jetë pranë të rinjve të Rrjetit Rinor të kryeqytetit, një rrjet tashmë i konsoliduar dhe pjesë energjike e aktive e shoqërisë sonë.
Në këtë veprimtari qe shihni edhe ne foto, Rama u tha të rinjve se “diçka që ju bashkon të gjithëve ju, pavarësisht se jeni njerëz krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, individualisht të spikatur për arsyet e secilit prej jush, një gjë e përbashkët ju ka mbledhur sot këtu, më ka sjellë dhe mua që t’ju takoj, që është dëshira për të qenë dhe për të bërë diçka më shumë se ajo që njeriu bën dhe është brenda rrethit të ngushtë të interesave të tij që janë shumë të rëndësishme, shumë të mëdha, legjitime, të respektueshme, por që nuk mjaftojnë për t’i dhënë njeriut të gjithë kënaqësinë që mund të marrë në këtë udhëtim të papritur që sjell në jetë dhe e mban përkohësisht në këtë tokë”.
Në këtë aspekt, - vijoi z.Rama, - mendoj që “lum ai që e kupton, se ka shumë më shumë kjo jetë dhe kjo botë se thjesht plotësimi i disa interesave, kushteve personale, sepse falë asaj që është përtej tyre, vetë jeta e njeriut bëhet më interesante, më e larmishme, bëhet më e admirueshme”.
I krijuar që nga viti 2008, Rrjeti ka mbledhur rreth tij nxënës dhe nxënëse të shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale, për t’u ofruar të rinjve një jetë dinamike, të mbushur me aktivitete e veprimtari të ndryshme sociale e kulturore, që synojnë gjallërimin dhe nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën e kryeqytetit.
Anëtarët e Rrjetit Rinor me të cilët Bashkia e Tiranës bashkëpunon prej kohësh, disa nga studentët më të rinj apo anëtarë të Rrjetit Rinor kryeqytetas që studiojnë jashtë vendit, por edhe anëtarë që sapo janë bërë pjesëtarë të këtij rrjeti të gjerë komunikimi e bashkëpunimi kanë pasur rastin të diskutojnë e të shkëmbejnë eksperiencat e këtij viti, ndërkohë që Kryebashkiaku gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar, ka mirëpritur sugjerimet e idetë e tyre për vitin e ardhshëm dhe ka dëgjuar kërkesat që të rinjtë kanë ndaj Bashkisë dhe se si mund t’i zhvillojnë idetë e projektet që ata propozojnë.
Të rinjtë, ndër të tjera kanë diskutuar mbi tema dhe aspekte të ndryshme të realitetit të tyre, si: praktika që bëjnë studentët nëpër auditore dhe në vende reale pune, punësimi pas shkolle, lëvizja e lirë, jeta kulturore artistike e Tiranës, përfshirja më e madhe në aktivitete sensibilizuese dhe edukuese,etj.
Në fjalën hyrëse të këtij bashkëbisedimi, Kreu i Bashkisë së Tiranës shprehu kënaqësinë që gjendej mes të rinjve dhe ka falenderuar të gjithë ata anëtarë e anëtare të Rrjetit Rinor që kanë marrë pjesë aktive në jetën sociale, në veprimtari të vogla apo të mëdha, por që pavarësisht nga madhësia janë sipas Kryebashkiakut Rama, “veprimtari shumë të respektueshme qytetare”.
“Nga ana tjetër, dua që sot të bisedojmë së bashku për gjithçka që ju do të dëshironit të ishte ndryshe, të ishte më e organizuar në vitin e ardhshëm, ndërkohë që për vitin që po lëmë pas dua të shtoj se, jam shumë krenar që një pjesë e konsiderueshme cilësore e anëtareve dhe anëtarëve të Rrjetit Rinor të Tiranës janë studentë dhe studente në Universitete të njohura të Europës dhe më tutje, ashtu sikundër është po kaq krenari që Bashkia e Tiranës të vazhdojë të shprehë mirënjohjen e saj për të gjithë ata mësojnë në shkollat e kryeqytetit dhe kanë rezultate të shkëlqyera. Pa dashur të zgjatem më shumë dua të them se eksperienca e derikëtushme e Rrjetit Rinor tregon dy gjëra, së pari që shumëçka që duket e pamundur është e mundur dhe është bërë e mundur falë pikërisht vullnetit dhe kurajos, në radhë të parë të secilit prej jush, së dyti që shumëçka që duket e pamundur për nesër, është krejtësisht e mundur, në rast se me po të njëjtin vullnet dhe më shumë kurajo, ne sëbashku e përballojmë. Dhe, më shumë se sa një takim që ka një fjalë hapjeje, ka një fjalë rasti, ka disa fjalime të rastësishme, unë do të doja të ishte një takim ku ne të bashkëbisedonim dhe sigurisht do të isha shumë i lumtur të gjendesha në vështirësinë për t’i kthyer përgjigje, pyetjeve që mund të ketë, ashtu sikundër do të isha shumë mirënjohës, në rast se ide, sugjerime, vërejtje, këshilla, mund të vinin prej jush” – u shpreh Kryebashkiaku Rama në hyrje të takimit.
Më tej, Kreu i Bashkisë Edi Rama vijoi: “Çështja e meritave të qeverisë në Shqipëri, është një çështje që është e thjeshtë për ata që kanë sy të shikojnë e veshë të dëgjojnë dhe vullnet të informohen dhe sigurisht nuk është kaq e thjeshtë për ata që nuk i kanë këto. Dhe nuk i kanë këto, jo sepse nuk duan t’i kenë, por sepse nuk i kanë mundësitë për t’i pasur. Më lejoni të bëj një digresion, lidhur me çka unë kam parë në Shqipërinë, që jo për fajin tuaj, apo jo për meritën time, unë e njoh dhe ju s’e njihni dhe që është Shqipëria përtej kufijve të qytetit tonë. Ka një Shqipëri tjetër, jashtë kufijve të qytetit, është ajo Shqipëri që përmbytet edhe sot që flasim, tani është nën ujë. E parë nga këtu, e parë nga shtëpitë tona duket si çudi që ajo Shqipëri nuk flet, duket si çudi që ajo Shqipëri nuk proteston, duket si çudi që ajo Shqipëri nuk e sheh një të vërtetë shumë të thjeshtë, por në fakt jo vetëm nuk aasnjë çudi, por ajo Shqipëri nuk ka faj, ashtu sikundër nuk ka faj Shqipëria që jeton në të gjithë territoret e braktisura nga shteti, territoret e fshatit shqiptar, që normalisht duhet të prodhonin në një mënyrë e masë të atillë, që ka bënin shumë më të lehtë jetën e familjeve në qytet, duke punësuar që pavarësisht këtyre rrogave e pensioneve, që kanë sot familjet në qytet, të mund që një pjesë të mirë të ushqimit, ta siguronin nëpërmjet asaj që fshati do të prodhonte. Fatkeqësisht nuk është kështu! Fatkeqësisht ka një qasje e cila është një qasje që ka nevojë për atë Shqipërinë që nuk ndriçohet, sepse vetëm falë mosndriçimit, vetëm falë dezinformimit, vetëm falë mosinformimit dhe mosedukimit mund ta mbajë zap. Shikoni Bosnjën, Bosnja ka bërë luftëra, për arsye që ne kurrë nuk kemi menduar se si mund të ekzistojnë mes nesh, e jo më t’i kemi pasur, arsye fetare, etnike, arsye dasish që janë shumë të thella e shumë më të forta se sa arsyeja e njeriut që merr frymë e zgjohet në mëngjes. Megjithatë Bosnja e merr nëtyrshëm, shumë natyrshëm procesin e liberalizimit të vizave, po kaq natyrshem marrin vendet e tjera, ndërkohë që ata që sot përfaqësojnë popullin atje apo kudoqoftë tjetër në Ballkan, qofshin në qeveri apo opozitë i thonë njerëzve që përfaqësojnë se çfarë duan të bëjnë dhe ç’duhet bërë për projektin evropian të vendit të tyre, sepse askush nuk hyn në një debat për liberalizimin e vizave. Është Europa që heq vizat me Shqipërinë, nuk është Shqipëria që heq vizat me Europën, që do të thotë se është Europa që çon përpara një projekt të sajin, ndërkohë që shqiptarët realizojnë një ëndërr të vjetër për të lëvizur lirisht, pasi për shumë kohë, në komunizëm e më pas, për arsye të ndryshme, në mënyra të ndryshme kanë qenë të penguar nga kjo e drejtë shumë elementare. Por, ndërkohë, Shqipëria europiane është një projekt shqiptar, i mirëpritur dhe i mirëpritshëm nga Europa por që duhet ta realizojmë vetë dhe që do ta realizojmë në një kuptim shumë të thjeshtë. Njësoj si ju, edhe Shqipëria si e tërë, të mund të shkojë e të ulet në tryezën e familjes europiane së cilës i përkasim dhe nga e cila nuk na mban larg gjeografia, nuk na mban larg dëshira apo disponibiliteti i popullit, por na mban larg sot e gjithë ditën politika e vjetër e vendit “amë” dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, nuk ka se si kjo qeveri të mos mundohet të shesë si produkt të punës saj liberalizimin e vizave. Çfarë do të mund t’u thotë cilidoqoftë, atyre që përmbyt, atyre që ende fatmirësisht nuk janë nën ujë!? T’u thotë pensionistëve, iu rrita pensionin?! Por si askund në botë, mbasi ne rrisim pensionet, dikush tjetër, një forcë që ne nuk e dimë rrit faturën e energjisë, rrit faturën e ujit, tvsh-në e ilaçeve, rrit çmimet në treg. Vërtet që në vendet e tjera në Europë, kohët e fundit nuk janë rritur rrogat e pensionet, por nuk janë rritur as çmimet. Ç’mund t’u thotë juve, t’ju thotë që Shqipëria është sot në moshën e Internetit, që është dhe mosha juaj dhe pavarësisht se mund të mos shkoni deri atje, bëni shkollën që këtu, në Internet?! Nuk e thotë dot, ose e thotë por kjo nuk lidhet me realitetin. Në vend të realitetit, thotë diçka tjetër, që Shqipëria është vendi me Universitete private më shumë për frymë popullsie se çdo vend i Europës (nuk e di në se ka në Afrikë kaq shumë universitete për frymë popullsie në botën e tretë, në përgjithësi), universitete që në tërësinë e tyre, me ndonjë përjashtim, nuk japin diploma por prodhojnë diploma- u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë e rrjetit rinor.
Janë pikërisht këta të rinj, që në kohën e tyre të lirë dhe në hapësirën e rrjetit të përbashkët shoqëror, kontribuojnë në drejtime të ndryshme, për të mirën e qytetit dhe të komunitetit. Falë vullnetit të lirë të të rinjve si dhe falë dëshirës së tyre, për të kontribuar në të mirë të qytetit dhe komunitetit, kanë qenë të shumta aktivitetet me karakter social, edukues e sensibilizues, ku të rinjtë e Rrjetit Rinor të kryeqytetit kanë asistuar që nga krijimi i tij e deri më sot, duke iu gjendur pranë fëmijëve në nevojë, duke dhënë ndihmesën e tyre të vyer por edhe duke dhuruar sado pak nga energjia dhe dashuria e tyre. Por aktiviteti i këtij rrjeti nuk ndalet këtu! Bashkia e Tiranës i ka përfshirë këta të rinj në aktivitete të ndryshme, që nga trajnimet, aktivitete sensibilizuese, aktivitete me karakter artistik e kulturor, konkurrime sportive e deri në konferenca ndërkombëtare.
Ky rrjet është një bashkim individësh të lirë dhe mbi të gjitha ka një vlerë shumë të madhe si bashkim, sepse përbëhet nga nxënës dhe nxënëse që janë vërtet të dalluar në shkollat e tyre, gjë që i jep një cilësi që do ta bëjë rrjetin, jo vetëm funksional në kuptimin e kontributit vullnetar, por edhe ndikues.
Qyteti ynë, shoqëria jonë ka nevojë për këta qytetarë të denjë. Një qytetar i mirë është më shumë se një njeri i mirë, një njeri që nuk jeton më vete dhe për vete, por jeton me të tjerë dhe sigurisht nuk harron se përveç tij dhe vetes së tij duhet bërë edhe për të tjerët, në mënyrë që së bashku të bëjmë të mundura, gjëra që duken të pamundura. Shumë gjëra njerëzit nuk i zgjidhin dot vetëm, prandaj ata organizohen; shumë gjëra qytetarët apo qytetaret nuk i zgjidhin dot të vetëm, por së bashku qytetaret dhe qytetarët të organizuar, mund të zgjidhin plot nga ato gjëra që duken të pazgjidhshme, në rast se ne i shohim vetëm nga këndvështrimi ynë personal dhe nga pozicioni i të qenit thjesht individë.
I rëndësishëm është gjithashtu fakti se Bashkia e Tiranës i ka mbështetur e do të vazhdojë t’i mbështesë këta të rinj, në pasurimin e jetës së tyre aktive dhe në dobi të komunitetit ku ata jetojnë. Rrjeti pasurohet gjithmonë me anëtarë të rinj dhe synon të jetë pjesë aktive e shoqërisë sonë.
e.r/NOA