Tiranë, 22 dhjetor, UPDATE, NOA –Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe deputeti Erion Braçe janë kërcënuar nga bosi i mafias ballkanase Daut Kadriovski, i njohur me nofkën “Ujku Gri”. Fakti është bërë i ditur sot nga Erion Braçe në një konferencë për mediat, ku Brace deklaroi se në adresë të tij ka ardhur një zarf me një letër dhe CD që mban emrin e Kadirovskit, i cili i akuzon dy politikanët për dy vrasje dhe lidhje me krimin e organizuar.
Në letër thuhet se CD-ja do të publikohet në media, nëse brenda 24 orëve, Braçe dhe Rama nuk heqin dorë nga publikimi i akuzave për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka deklaruar sot se kërcënimi që është bërë ndaj tij dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama ka si qëllim vetëm frikësimin e opozitës për të ndalur fushatën e anti-korrupsionin ndaj qeverisë.
Braçe ka akuzuar direkt kryeministrin Berisha për kërcënimin dhe struktura “okulte të ministrisë së Brendshme”. Por Braçe tha se kërcënimi është bërë të hënën dhe se ka ardhur pasi Sali Berisha është në djeni të publikimit të fakteve që do të sjellin deri dhe rrëzimin e qeverisë.
“Sali Berisha është në djeni të plotë të publikime shumë të rënda të cilat do të kulmojnë në ditët në vijim dhe të cilat nuk e mbajnë dot më këmbë qeverinë e Sali Berishës. Nuk e mbajnë dot më në këmbë”, tha sot Braçë.
Ai tha se në mbledhjen e sotme të grupit të PS, deputetët kanë rënë dakord për vazhdimin e fushatës së transparencës.
“Deputetë e PS-së shprehin neverinë e qartë për aktet tipike mafioze të një qeverie të korruptuar dhe në ikje dhe që fushata jonë e transparencës përkundrejt akteve korrupsionit nuk do të ndalet. Ne do ta çojmë deri në fund këtë fushatë kundër korrupsionit”, tha Braçe.
Braçe tha se ky kërcënim ka qenë dhe shkaku i takimit të djeshëm me Presidentin Bamir Topi. Ai shtoi se do të bëhet padi penale për këtë çështje ditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës.
Deputeti i PS-së tha se këto fakte kërcënues tregojnë se kryeministri Sali Berisha, po prek fundin.
“Të njohur me këto fakte gjykuam se po kalojmë nga një fazë e shpifjeve politike, në një fazë të re ku Berisha po përdorë dhe zëvendëson krimin e organizuar jo për akuza banale, por akuza të rreme penale në vend dhe rajon. Kjo do të thotë se Berisha po prek fundin dhe po bëhet i rrezikshëm për çdo shqiptar që refuzon aktet korruptive të tij”, tha Braçe.
a.k/NOA