Prishtinë, 22 dhjetor, NOA - Me gjithë paralajmërimet nga ana e Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Koorporata Elektro-energjetike e Kosovës, KEK ka vazhduar me fushatën e ndërprerjeve kolektive të energjisë elektrike në lagjet dhe vendbanimet në tërë territorin e Kosovës.
“KMDLNJ edhe njëherë tërheq vëmendjen që një fushatë e tillë është në kundërshtim të plotë me standardet ligjore të aplikueshme në Kosovë. Gjithashtu kjo fushatë bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut”, thuhet në njoftimin përkatës të KMDLNJ-së.
Duke shtuar se Koorporata Elektro-energjetike e Kosovës duhet të gjejë mënyrë që të mos i dënojë paguesit e rregullt dhe kategoritë e përfshira në asistencë sociale dhe kategoritë tjera të liruara, sipas ligjeve në fuqi.
“Në të kundërtën, kjo korporatë mundë të shndërrohet nga paditëse në të paditur.”, parashtron KMDLNJ.
Në fund, ajo kërkon nga KEK të shfrytëzojë rrugën ligjore të denoncimeve dhe po ashtu kërkojmë nga gjykatat të jenë më efikase që trajtimin e rasteve të paraqitura nga KEK. Kjo do të ndihmonte që të mos dënoheshin konsumatorët që kryejnë detyrimet financiare ndaj KEK.
n.e/NOA