Tiranë, 22 dhjetor, NOA - Ka pasur një rritje të prurje për shkak të ndryshimit të temperaturave në Alpet tona, por edhe në Malin e Zi.
Kjo k a qenë deklarata e ministrit të Energjetikës, Ilir Meta për mediat lidhur me situatën më të fundit në veri, duke shtuar se “ka patur një përkeqësim, në kuptimin e rritjes së kuotave në nivelin e liqenit të Shkodrës, te ura e Bunës por edhe në Dajç gjë që është reflektuar me një rritje me gati 1000 ha të sipërfaqes nën ujë, në raport me një ditë më parë”.
Më tej, ai ka shtuar se ka patur disa shqetësime në një pjesë të Bahçallëkut, ku për shkak të prurjeve të fuqishme të lumit Kir, ka patur disa përmbytje të disa banesave atje.
“Njëkohësisht, shqetësime janë vërejtur në komunën e Dajçit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturave të fshatit Dajç ku po punohej prej një kohe të gjatë nga forcat e ushtrisë dhe nga banorët atje, megjithatë janë marrë të gjitha masat në mënyrë që gjatë ditës së nesërme, jo vetëm të vijojë operacioni i përditshëm në drejtim të furnizimit të banorëve dhe të sigurimit të rrugëve të kalimit për transportit dhe për të vijuar furnizimin me ushqime me njerëzve dhe blegtoritë por edhe për të punuar me shpresën se kushtet e motit do të na lejojnë për përforcimin e argjinaturave që janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e mëtejshëm të situatës në përgjithësi”, tha ai.
n.e/NOA