English

Nënkryetari i Senatit indian: Shqiptarët shumë të njohur për ne përmes Nënë Terezës

Nju Delhi, 22 dhjetor, NOA – “Ju vini nga një vend i vogël, por ju jeni shumë të njohur për popullin indian, sepse shqiptarët për ne, janë lidhja me vendin e Nënë Terezës”. Me këtë vlerësim që evokon kontributin e përbotshëm të humanistes shqiptare të mbarënjerëzimit, Nënë Tereza në vendin ku ajo ushtroi më së shumti aktivitetin e saj në shërbim të njerëzve, iu drejtua Nënkryetari i Senatit të Indisë, Rahman Khan, kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli, e cila ndodhet në Indi për një vizitë zyrtare. Por, në vijim të vlerësimit për nobelisten shqiptare, kryeparlamentarja Topalli theksoi se vizita e saj në Indi përkon me një moment të rëndësishëm, me 100 Vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.

“Unë e admiroj dhe e vlerësoj shumë vendin tuaj të mrekullueshëm”, iu përgjigj Kryetarja e Kuvendit, nënkryetarit të Senatit të Indisë, duke vijuar se si dy popuj që i lidh ngushtë figura e shenjtores Nënë Terezë, përbën një pikë edhe për realizimin e projekteve dypalëshe.

Khan e vleresoi vizitën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë si një fillim të mbarë të bashkëpunimit në nivele të larta mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se, shkëmbimi i vizitave të këtij niveli nxisin miqësinë dhe projekte konkrete bashkëpunimi.

Në këtë suazë ai theksoi se vizita e zonjës Topalli hap një dritare të re.

Duke i shprehur mirënjohjen për mikpritjen, zonja Topalli përcolli bindjen e saj se, diplomacia parlamentare luan një rol të rëndësishëm në njohjen dhe afrimin ndërmjet parlamentarëve, në interes të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe popujve. “Unë vlerësoj – tha zonja Topalli-se vizita ime këtu, është dëshmi e rolit të kësaj diplomacie. Në këto vitet e fundit, Parlamenti i Shqipërisë ka patur prioritet, zgjerimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve me institucionet e Bashkimit Europian, veçanërisht me Parlamentin Europian, por unë kam çmuar të rëndësishme, shtrirjen e gjeografike të këtij bashkëpunimi”.

Gjatë takimit me Nënkryetarin e Senatit të Indisë, zonja Topalli tha se Shqipëria, ndonëse funksionon si një shtet demokratik vetëm prej dy dekadash, ka bërë progres të ndjeshëm në një kohë rekord, duke u anëtarësuar në NATO, duke mundësuar lëvizjen pa viza të shqiptarëve në zonën Shengen, duke vijuar me reformat për integrimin e saj në Bashkimin Europian dhe duke siguruar një rritje ekonomike pozitive prej rreth 4 përqind.

Gjatë takimit, palët ranë dakort për bashkëpunim të mëtejshëm me shkëmbim përvojash dhe vizitash, jo vetëm në nivel parlamentar.

Në axhendën e vizitës zyrtare të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë në Indi ishte edhe takimi me Ministrin për Çështjet parlamentare dhe Burimeve ujore, Paëan–Kumar Bansal.

Ministri Bansal do të shprehte bindjen për këtë vizitë të parë të nivelit të lartë shqiptar se i ka shërbyr bashkëpunimit ndërparlamentar dhe inkurajimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

mit/NOA

KOMENTE