English

Ngjela vazhdon avazin e kërcënimeve ogurkeqe: Do të ketë luftë civile

Në mënyrë të papërgjegjshme, zëdhënësi i “Opozitës së Bashkuar” dhe njëherësh kryetar të PLD, Spartak Ngjela, dikur ministër i Drejtësisë për qeverinë e Pajtimit Kombëtar e më tej të mazhorancës, aktualisht pranë të majtës në opozitë, lëshon deklarata që nxisin dhunë mes shqiptarëve. Autoritetet e drejtësisë heshtin, edhe ato, në mënyrë të papërgjegjshme

Tiranë, 22 Dhjetor 2010 NOA – “Mosqeverisja, paligjësia e qeverisë dhe korrupsioni konvergojnë në një pikë. Kjo qeveri duhet të largohet. Në rast se nuk largohet dhe refuzon të bëjë transparencën do të ketë përplasje të madhe shoqërore”.

Ky ishte kërcënimi i radhës që lëshoi sot, përfaqësuesi i “Opozitës së Bashkuar” dhe njëherësh kryetar të PLD, Spartak Ngjela.

Duke mos ngurruar edhe një herë që të lëshojë deklarata të tilla të papërgjegjshme, ndonëse nuk është as deputet që të përfitojë nga imuniteti si rëndom “të zgjedhurit e popullit”, Ngjela kërcënoi me revolucione popullore pasi duke përdorur termin “do të ketë përplasje të madhe shoqërore”, nuk do të thotë as më shumë e as më pak por ngjyrat e një lufte civile.

***

Ngjela doli sot para mediave dhe tha se po jepte një deklaratë në emër të opozitës së bashkuar për tre çështje që tha se janë të lidhura me njëra tjetrën:

E para është komisioni i hetimit parlamentar për kutitë e materialeve zgjedhore i cili krijon dhe mundet të shkaktojë një pështjellim shumë të madh në Shqipëri në rast se do të refuzohet. Refuzimi i këtij komisioni provon në mënyrë të plotë manipulimin e zgjedhjeve. Manipulimi i zgjedhjeve provon paligjësinë e qeverisë dhe paligjësia e qeverisë i jep të drejtën popullit opozitar të dalë për të krijuar gjendjen e zgjedhjeve të parakohshme me forcën e protestave masive.

Në të njëjtën kohë opozita e bashkuar mendon se edhe kjo gjendje e rëndë vjen si pasojë e paligjësisë së qeverisë me një kryeministër të paligjshëm i cili po shkatërron vendin. Nuk ka përmbytje. Përmbytja është faji total i qeverisë. Natyrisht është një faj i akumuluar në 20 vjet, po në tre katër vitet e fundit janë dhënë shenja dhe nuk është marrë asnjë masë. Në të njëjtën kohë, ashtu siç e kemi deklaruar janë shkatërruar që të gjithë ato që janë bërë për sistemin e ujërave në Shqipëri. Në këtë mënyrë e me këto fakte ne jemi të përgatitur për sfida të mëdha për të rivendosur gjendjen në Shqipëri dhe për të krijuar mundësinë e votës së lirë, qarkullimit të elitave dhe drejtimit në mënyrë shkencore dhe intelektuale të shtetit shqiptar e sidomos të qeverisë shqiptare.

Çështja e tretë që ka lidhje të plotë me këtë është korrupsioni. Të tre çështjet janë të lidhura me njëra tjetrën. Mosqeverisja, paligjësia e qeverisë dhe korrupsioni konvergojnë në një pikë. Kjo qeveri duhet të largohet. Në rast se nuk largohet dhe refuzon të bëjë transparencën do të ketë përplasje të madhe shoqërore”, - përfundoi z.Ngjela.

e.r/NOA

KOMENTE