English

Përleshje mes 10 shqiptarësh në Greqi, 3 plagosen në gjendje kritike

Lamia, 22 Dhjetor 2010 NOA – Përleshje mes dhjetë shqiptarësh në Greqi, pas një keqkuptimi që pasoi nxehjen e gjakrave kaq shumë sa u përdorën sëpata (në foto), hunj, sqeparë, thika dhe sende të tjera të mprehta dhe të forta.

Bashkëpunëtori i agjencisë NOA raporton nga Lami, se ngjarja ka ndodhur natën duke hyrë dita e sotme (e Mërkurë). Gjithsej dhjetë vetë kanë qenë shqiptarët e përfshirë në incident, në një nga fshatrat e Ftiotida, “Kombodadhes”, në rajonin e Lamias.

Gjithçka mes dy fiseve shqiptare nisi kur gruaja e njërës prej familjeve shkoi në shtëpinë e familjes tjetër për të folur me ta mbi një sherr që kishte pasur më herët me gruan e banesës tjetër dhe duke dashur ta qortojë për një konflikt që kishte nisur midis tyre.

Me të nisur debati, familjarët “rivalë” kanë nisur ta shajnë gruan fqinje dhe ndërsa ajo këmbëngulte në të vetën, iu vërsulën duke e shtyrë që ta nxirrnin jashtë.

Në këto çaste kanë mbërritur familjarët e gruas dhe këtu ka nisur përleshja me dhjetë vetë.

Burra e gra, duke kapur ç’të gjenin, sëpata, hunj, sqeparë, thika, gurë dhe sende të tjera, qëlluan njëri-tjetrin për disa minuta rresht, mes klithmash e sharjesh pafund.

Situata e krijuar nxori jashtë shtëpive komshinjtë dhe ata lajmëruan policinë.

Kur forcat policore mbërritën, konstatuan pesë të plagosur, mes tyre një grua. Ata u dërguan në spitalin e Lamias, ku mjekët pohuan se tre prej tyre janë në gjendje kritike për jetën pasi kanë marrë plagë serioze në kokë.

Ndërkohë, policia arrestoi tre të tjerë kurse po kërkon edhe dy që u larguan nga vendngjarja me të dëgjuar sirenat e policisë.

Kurse për të plagosurit, policia ka vendosur t’i mbajë nën mbikëqyrje. Policia tha se në incident u përfshinë dhe dy fëmijë, të cilët kanë marrë lëndime pa rrezik jete.

Fqinjët e marrë në pyetje nga policia, thanë se i njihnin prej vitesh dy familjet, si njerëz punëtorë dhe të qetë. Sipas asaj që banorët thanë, dy familjet kanë jetuar në paqe në këtë fshat, pa krijuar asnjë problem.

n.s/NOA

KOMENTE