English

Prokuroria: Telefonatat e zbardhura mes “Xhilit” e Aldo Bares, dhe për Braçen

Alfred Shkurti ose Aldo Bare i njohur si kreu i “Bandës së Lushnës”, tregon nevojën për të ‘siguruar’ garën e tenderit për ndërtimin e autostradës Fier-Lushnjë. Në lidhje me këtë argument, biseda vazhdohej nga Nardi, i cili sqaronte se kishte folur me ish-gazetarin Braçe, eksponent i lartë në Partinë Socialiste, i cili i kishte treguar se gara e tenderit do të fitohej nga disa sipërmarrës të njohur nga ai

Tiranë, 23 Dhjetor 2010 NOA – Personi i arrestuar sot, Alxhi Nallbani, nipi i Aldo Bares i njohur edhe si “Xhili”, përmendet edhe në telefonatat e zbardhura nga Prokuroria e Antimafias italiane në prill të vitit 2004.

Ja ç’thuhet në telefonatën 152 të zbardhur nga hetuesit italianë

Biseda në gjuhën shqipe e orës 11.15 e datës 27.02.2003 mes qytetarëve shqiptarë të quajtur Enver Dondollaku, “Goni” dhe “Profesorit” (Aldo Bare).

Transkriptim në formë përmbledhëse i telefonatës me Imei nr. 350642073479560 i përdorur nga “Goni” drejt celularit turk 0090/5363254200 që përdorej nga “Profesori”, Aldo Bare:

“Profesori” i thotë “Gonit” se ata, duke iu referuar personave të tretë, duan të godasin, ndaj do të duhej një nga ato të voglat me marmitë (pistoletë me silenciator).

“Goni” thotë se “Nardi” e ka informuar se “Xhili” (Alxhi Nallbani) ka një nga ato me “marmitë” (silenciator). Saktëson duke thënë se “marmita” ishte e gjatë sa mesi i krahut.

I thotë se Nardi e kishte bërë shumë mirë, me materiale origjinale dhe me atë s’mund të gabonte. “Profesori” thotë se duhej të informohet nga “Xhili” dhe t’i thotë më pas çfarë mendonte ai.

Biseda e regjistruar nga Prokuroria italiane

Pjesë e materialit hetimor për bisedën e zhvilluar mes Aldo Bares (Alfred Shkurtit), dhe Nallbanit: "Më datën 11 prill 2004, në orën 22.53, në numrin 338/8837418, në përdorim të Alxhi Nallbanit, i quajtur ‘Xhili’, u kap një telefonatë drejt numrit turk 0090/5442172483, në përdorim të Alfred Shkurtit.

Gjatë bisedës, ky i fundit e pyet Alxhin nëse i ka përfunduar ‘punët’, Alxhi përgjigjet se ka bërë ‘diskutimet’, vazhdonte duke sqaruar se do të qëndronte në Itali edhe për dy ose tre ditë të tjera.

Më pas i rrëfen Aldo Bares për udhëtimin në Gjermani të bërë me Renardo Nallbanin, i quajtur ‘Nardi’, duke sqaruar: ‘shkova për të blerë 2 kamionë, me një rrugë, dy punë, e ke të qartë?’ Alxhi më pas i sqaron Shkurtit se në Itali jetohet shumë mirë, por ky i fundit i përgjigjet se, ‘në Itali ka shumë shqiptarë dhe të duket sikur je në Tiranë’.

Shkurti tregon se ka patur një shkëmbim fjalësh me bashkëqytetasin e tij i quajtur ‘doktori’, i cili po i linte mënjanë interesat e grupit të tyre, pra Alxhi replikon se në momentin e rikthimit në tokën shqiptare ‘do të merrej me doktorin’.

Shkurti, gjithnjë në kuadër të dialogut të mësipërm, përsëriste nevojën, nga ana e organizatës, për të ‘siguruar’ garën e tenderit për ndërtimin e autostradës Fier-Lushnjë.

Në lidhje me këtë argument, biseda vazhdohej nga Nardi, i cili sqaronte se kishte folur me ish-gazetarin Braçe, eksponent i lartë në Partinë Socialiste, i cili i kishte treguar se gara e tenderit do të fitohej nga disa sipërmarrës të njohur nga ai.

Biseda vazhdonte mbi projektin që kishte organizata kriminale, të bazuar në shtytjen nga deputeti socialist Braçe, me synimin për të fituar të drejtën ekskluzive të instalimit, mbi të gjithë rrjetin autostradal në diskutim, të disa distributorëve të benzinës të administruar direkt nga grupi kriminal".

FUND/ e.r/NOA

KOMENTE