Tiranë, 22 dhjetor, NOA – Partia Socialiste e akuzuar sërish sot ministrin e Bujqësisë Genc Ruli për abuzim me detyrën gjatë kohës që ka qenë ministër i Ekonomisë. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi tha sot për mediat se Prokuroria duhet të nis hetimet ndaj Rulit, pasi ka favorizuar duke shkelur ligjin një kompani minerare.
“Nuk është e lehtë që të dallosh se kush është kampioni i korrupsionit dhe abuzimit me detyrën në qeverinë e Sali Berishës, por aferat e njëpasnjëshme që po dalin në dritë për Genc Rulin padyshim e bëjnë atë të zërë një vend krejt të veçantë.
Genc Ruli në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme ka marrë përsipër të favorizojë kompaninë ACR”, tha Shalsi.
Shalsi tha se Ruli duhet të përgjigjet për akuzat që po i bëhen dhe të sqarojë pozicionin e tij.
“Përse hesht ministri aktual i ekonomisë që i detyrohet një shpjegim shqiptarëve?
Përse hesht Ministri i Financave në kompetencat e të cilit ka hyrë Genc Ruli?
Dhe mbi të gjitha ripërsërisim me forcë pyetjen që i drejtuam edhe dje Prokurores së Përgjithshme: Çfarë tjetër, e dashur zonjë, duhet të bëjë një ministër që organi që ju drejtoni ta marrë atë si të pandehur?”, tha sot Shalsi
Ai u shpreh se Ruli ka ndryshuar kontratën koncesionare dhe më konkretisht duke i shtyrë afatet e investimit të parashikuara në këtë kontratë.
Shkelja e dytë sipas Shalsit është se Ruli i ka mundësuar kësaj kompanie që gjobën prej 1.6 milion eurosh për një shkelje të mëparshme të kontratës ta zbresë nga rimbursimi i TVSH.
“Ajo që është e paimagjinueshme por kaq ndodhur është fakti se Genc Ruli këto veprime i ka kryer duke tejkaluar kompetencat e tij, në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme. Ai nuk ka marrë as miratimin e kuvendit dhe as miratimin e ministrisë së financave”, tha sot Shalsi.
a.k/NOA